Artikulli në vijim ju jep një vështrim të shpejtë në jetën e Jezus Krishtit. Këto janë ekstrakte të marra direkt nga Ungjilli i Gjonit, i cili është në Bibël. Nuk ka komente të shtuara. Ato do t’ju japin një lexim të saktë e të shpejtë të jetës, vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit… dhe se pse jeta e Tij është domethënëse për ty.
Midis farisenjve ishte një njeri me emrin Nikodem, një krer i judenjve. Ky erdhi natën te Jezusi dhe i tha: “Mësues, ne e dimë që Ti je një mësues i ardhur nga Perëndia, sepse askush nuk mund të bëjë shenjat që bën Ti, në qoftë se Perëndia nuk është me të.”
Jezusi iu përgjigj dhe tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë.”
Nikodemi i tha: “Po si mund të lindë njeriu kur është plak? A mund të hyjë ai për së dyti në barkun e nënës së vet dhe të lindë?”
Jezusi u përgjigj: “Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Ç’ka lindur nga mishi është mish; por ç’ka lindur nga Fryma është frymë. Mos u mrekullo që të thashë: “Duhet të lindni përsëri.” Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por ti nuk e di nga vjen as ku po shkon; kështu është edhe çdo njeri që ka lindur nga Fryma.”
Nikodemi, duke u përgjigjur, i tha: “Si mund të ndodhin këto gjëra?”
Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Ti je mësues i Izraelit dhe nuk i ditke këto gjëra? Askush nuk u ngjit në qiell, përveç Atij që zbriti nga qielli, pra, Birit të njeriut që është në qiell. Që kushdo që beson në Të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.”
Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e Tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në Të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshmë. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e Tij në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej Tij. Ai që beson në Të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.
Në fillim ishte Fjala [Jezusi], dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi.
Ai (Fjala) ishte në fillim me Perëndinë.
Të gjitha gjërat u bënë me anë të Tij (Fjala), dhe pa Atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.
Në Atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve.
Dhe drita shklëqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi.
Ai (Fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të Tij, por bota nuk e njohu. Ai erdhi në shtëpinë e Vet dhe të vetët nuk e pranuan, por të gjithë atyre që e pranuan, Ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e Tij, të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia.
Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne, dhe ne soditëm lavdinë e Tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.
Në Jeruzalem, afër portës së dhenve, është një pellg që në hebraisht quhet Betesda, dhe ka pesë portikë. Nën to dergjeshin një numër i madh të lënguarish: të verbër, të çalë dhe të paralizuar. Aty ishte një njeri i lënguar prej tridhjetë e tetë vjetësh. Jezusi, duke e parë shtrirë dhe duke ditur se prej shumë kohe ishte në atë gjendje, i tha:… “Çohu, merr vigun tënd dhe ec!”
Njeriu u shërua në çast, mori vigun e tij dhe eci. Atë ditë ishte e shtunë. Prandaj judenjtë i thanë atij që u shërua: “Është e shtunë; nuk është e ligjshme për ty të ngresh vigun tënd!”
Ai iu përgjigj atyre: “Ai që më shëroi më tha: “Merre vigun tënd dhe ec!”
Atëherë ata e pyetën: “Kush është ai njeri që të tha: “Merre vigun tënd dhe ec”? Më vonë…ai njeri shkoi dhe u tregoi judenjve se Jezusi ishte Ai që e shëroi.
Për këtë judenjtë e përndiqnin Jezusin dhe kërkonin ta vrisnin, sepse bënte këto gjëra të shtunave. Por Jezusi u përgjigj atyre: “Im Atë vepron deri më tash, e edhe Unë veproj.”
Për këtë judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vrisnin, sepse jo vetëm se shkelte të shtunën, por edhe se thoshte se Perëndia ishte Ati i Vet, duke e barazuar Veten me Perëndinë.
Jezusi, pra, i ngriti sytë dhe, duke parë se një turmë e madhe po vinte tëk Ai, i tha Filipit: “Ku do të blejmë bukë që këta të mund të hanë?” Por Ai e thoshte këtë për ta vënë në provë, sepse Ai e dinte ç’do të bënte.
Filipi iu përgjigj: “Dyqind denarë bukë nuk do të mjaftojnë për ata, që secili prej tyre të mund të ketë një copë.”
Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit, një nga dishepujt e Tij, i tha: “Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël; por ç’janë këto për aq njerëz?”
Dhe Jezusi tha: “Bëjini njerëzit të ulen!” por në atë vend kishte shumë bar. Njerëzit, pra, u ulën dhe ishin në numër rreth pesë mijë. Pastaj Jezusi mori bukët, dhe pasi falenderoi, ua ndau dishepujve dhe dishepujt njerëzve të ulur; të njëjtën gjë bënë edhe me peshqit, aq sa deshën.
Dhe mbasi u ngopën, Jezusi u tha dishepujve të Vet: “Mblidhni copat që tepruan, që të mos shkojë dëm asgjë.” I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copa nga ato pesë bukë prej elbi që u tepruan atyre që kishin ngrënë.
“Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se ju më kërkoni jo se patë shenja, por sepse keni ngrënë nga bukët dhe keni qenë të ngopur. Mos punoni për ushqimin që prishet, por për ushqimin që mbetet për jetë të përjetshme, të cilin do t’jua japë Biri i njeriut, sepse mbi Të Ati, domethënë Perëndia, vuri vulën e Tij.”
Atëherë e pyetën: “Çfarë duhet të bëjmë për të kryer veprat e Perëndisë?”
Jezusi u përgjigji dhe u tha atyre: “Kjo është vepra e Perëndisë: të besoni në Atë që Ai ka dërguar.”
“Unë jam buka e jetës; kush vjen tek Unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në Mua, nuk do të ketë më kurrë etje. Ky, pra, është vullneti i Atij që më ka dërguar; që kushdo që sheh Birin dhe beson në Të, të ketë jetë të përjetshme, dhe Unë do ta ringjall atë në ditën e fundit.”
Ditën e fundit, në ditën e madhe të festës, Jezusi u çua në këmbë dhe thirri duke thënë: “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek Unë e të pijë! Ai që beson në Mua, siç ka thënë Shkrimi, nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë.” Por këtë Ai e tha për Frymën, që do të merrnin ata që do të besonin në Të; sepse Fryma e Shenjtë në fakt nuk ishte dhënë ende, sepse Jezusi ende nuk ishte përlëvduar.
Shumë veta nga turma, kur i dëgjuan këto fjalë, thoshnin: “Ky është me të vërtetë profeti!” të tjerë thoshnin: “Ky është Krishti”.
“Në të vërtetë, në të vërtetë Unë po ju them: Ai që nuk hyn nëpër derë të vathës së deleve, por ngjitet nga një anë tjetër, ai është vjedhës dhe kusar, kurse kush hyn nëpër derë është bariu i deleve.
Jezusi u dha atyre këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk morën vesh për çfarë po u fliste. Prandaj Jezusi u tha atyre përsëri:
“Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet. Kurse rrogëtari, që nuk është bari, dhe delet nuk janë të vetat, sheh ujkun që po vjen, i braktis delet dhe ikën; dhe ujku i rrëmben dhe i shpërndan delet. Rrogëtari ikën, sepse është rrogëtar dhe nuk do t’ia dijë për delet.
Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e Mia dhe ato më njohin Mua, ashtu siç më njeh Ati Mua dhe Unë e njoh Atin dhe lë jetën Time për delet.
Prandaj Ati më do, sepse Unë e lë jetën Time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga Vetja; Unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri.
Nëse Unë nuk bëj veprat e Atit Tim, mos më besoni, por nëse i bëj, edhe po të mos më besoni Mua, u besoni të paktën veprave, që të njihni e të besoni se Ati është në Mua dhe Unë në Atë.”
Ishte atëherë i sëmurë një farë Llazari nga betania, fshati i Marisë dhe i Martës, motrës së saj. Prandaj motrat i dërguan fjalë Jezusit: “Zot, ja, ai që Ti e do shumë është i sëmurë.”
Dhe Jezusi si dëgjoi këto… edhe pse e donte Martën, motrën e saj dhe Llazarin, …qëndroi edhe dy ditë në vendin ku ishte.
Pastaj u tha dishepujve: “Të kthehemi përsëri në Jude.” Dishepujt i thanë: “Mësues, pak më parë judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë dhe Ti po shkon përsëri atje?”
Jezusi u përgjigj: … “Mikun tonë, Llazarin, e ka zënë gjumi, por Unë po shkoj ta zgjoj.”
Atëherë dishepujt e Tij thanë: “Zot, po të flejë do të shpëtojë.” Por Jezusi u kishte folur për vdekjen e tij, kurse ata pandehnin se kishte folur për fjetjen e gjumit. Atëherë Jezusi u tha atyre haptas: “Llazari ka vdekur…por le të shkojmë tek ai.”
Kur arriti Jezusi, pra, gjeti që Llazari ishte që prej katër ditësh në varr. Marta i tha Jezusit: “Zot, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur, por edhe tani e di se të gjitha ato që Ti i kërkon Perëndisë, Perëndia do të t’i japë.”
Jezusi i tha: “Yt vëlla do të ringjallet.”
Marta i tha: “E di se do të ringjallet, në ringjallje, ditën e fundit.”
Jezusi i tha: “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në Mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë. Dhe ai që jeton e beson në Mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë. A e beson këtë?”
Ajo i tha: “Po, Zot, unë besoj se Ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që duhej të vinte në botë.”
Sapo Maria arriti te vendi ku ndodhej Jezusi dhe e pa Atë, i ra ndër këmbë duke i thënë: “Zot, po të ishe Ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur.”
Atëherë Jezusi, kur pa se ajo dhe judenjtë që kishin ardhur me të po qanin, u psherëtiu në frymë dhe u trondit, dhe tha: “Ku e keni vënë?” Ata i thanë: “Zot, eja e shih!”
Jezusi qau. Atëherë judenjtë thanë: “Shih, sa e donte!” Por disa nga ata thanë: “Ky, që i hapi sytë të verbërit, s’mund të bënte që ky të mos vdiste?”
Prandaj Jezusi, përsëri i tronditur përbrenda, erdhi te varri; por ky ishte një guvë dhe kishte përpara një gur. Jezusi tha: “Hiqni gurin!”
Marta, motra e të vdekurit, i tha: “Zot, ai tashmë qelbet, sepse ka vdekur prej katër ditësh.”
Jezusi i tha: “A nuk të thashë se po të besosh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë?”
Atëherë e hoqën gurin prej vendit ku ishte shtrirë i vdejuri. Dhe Jezusi i ngriti sytë lart dhe tha: “O Atë, të falenderoj që më ke dëgjuar. Unë e dija mirë se Ti gjithnjë më dëgjon, por i kam thënë këto për turmën që është përreth, që të besojnë se Ti më ke dërguar.”
Dhe, mbasi tha këto, thirri me zë të lartë: “Llazar, eja jashtë!” Atëherë i vdekuri doli, me duart e këmbët të lidhura me rripa pëlhure dhe me fytyrën të mbështjellë me një rizë. Jezusi u tha atyre: “Zgjidheni dhe lërei të shkojë!” Atëherë shumë nga judenjtë, që kishin ardhur te Maria dhe kishin parë gjithçka kishte bërë Jezusi, besuan në Të.
Por disa nga ata shkuan te farisenjtë dhe u treguan atyre ç’kishte bërë Jezusi. Atëherë krerët e priftërinjve dhe farisenjtë mblodhën sinedrin dhe thanë: “Ç’të bëjmë? Ky njeri po bën shumë shenja. Po ta lëmë të vazhdojë kështu, të gjithë do të besojnë në Të, do të vijnë romakët dhe do të shkatërrojnë vendin dhe kombin tonë.” Që nga ajo ditë, pra, ata vendosën ta vrasin.
Megjithatë, edhe midis krerëve, shumë besuan në Të; por, për shkak të farisenjve, nuk e rrëfenin, për të mos qenë të përjashtuar nga sinagoga, sepse donin lavdinë e njerëzve më tepër se lavdinë e Perëndisë.
Por përpara festës së Pashkës, Jezusi, e dinte se kishte ardhur ora e Tij të kalojë nga kjo botë tek Ati. Dhe, kur mbaroi darka, djalli i kishte shtënë në zemër Judë Iskariotit, birit të Simonit, ta tradhtonte…
…Jezusi u trondit në frymë, dhe dëshmoi e tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se një nga ju do të më tradhtojë.” Juda, pra, mori kafshatën dhe doli menjëherë. Ishte natë.
(Jezusi që flet) “Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në Mua! Në shtëpinë e Atit Tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë Meje, që aty ku jam Unë, të jeni edhe ju.
Edhe pa kohë dhe bota nuk do të më shohë më, por ju do të më shihni; sepse Unë jetoj, edhe ju do të jetoni. Atë ditë do të mësoni se Unë jam në Atin Tim, dhe se ju jeni në Mua dhe Unë në ju. Kush ka urdhërimet e Mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do Mua, Ati Im do ta dojë; dhe Unë do ta dua dhe do t’i dëftehem atij.”
(Jezusi që flet) “Sikurse Ati më ka dashur Mua, ashtu edhe Unë ju kam dashur juve; qëndroni në dashurinë Time. Po të zbatoni urdhërimet e Mia, do të qëndroni në dashurinë Time, sikurse Unë i zbatova urdhërimet e Atit Tim dhe qëndroj në dashurinë e Tij. Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi Im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.”
“Ky është urdhërimi Im: ta doni njëri-tjetrin, ashtu si Unë ju kam dashur juve. Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij.”
“Nëse bota ju urren, ta dini se më ka urryer Mua para jush. Po të mos kisha bërë në mes tyre vepra që askush tjetër nuk ka bërë, nuk do të kishin faj; por tani, përkundrazi, e kanë parë, dhe më kanë urryer Mua dhe Atin Tim. Por kjo ndodhi që të përmbushet fjala e shkruar në ligjin e tyre: “Më kanë urryer pa shkak.”
[Jezusi që flet] “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: ju do të qani dhe do të mbani zi dhe bota do të gëzohet. Ju do të pikëlloheni, por pikëllimi juaj do të kthehet në gëzim. Kështu edhe ju tani jeni në dhemnje, por Unë do t’ju shoh përsëri dhe zemra juaj do të gëzohet, dhe askush nuk do t’jua heqë gëzimin tuaj…Ati Vetë në fakt ju do, sepse ju më deshët Mua dhe keni besuar se Unë dola nga Perëndia. Unë dola nga Ati dhe erdha në botë; përsëri po e lë botën dhe kthehem tek Ati.”
Jezusi tha këto gjëra, pastaj i ngriti sytë drejt qiellit dhe tha:
“O Atë, ora ka ardhur, përlëvdo Birin Tënd, që edhe Biri Yt të të përlëvdojë, sepse Ti i ke dhënë pushtet përmbi çdo mish, që t’u japë jetë të përjetshme të gjithë atyre që Ti ia ke dhënë. Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin Ty, të vetmin Perëndi të vwrtetë, dhe Jezu Krishtin që Ti ke dërguar.
Unë të kam përlëvduar mbi tokë; Unë e kam kryer veprën që më ke dhënë të bëj. Tani, pra, më përlëvdo, o Atë, pranë Teje, me lavdinë që Unë e kisha pranë Teje para se të bëhej bota.
Por tani Unë po vij tek Ti dhe i them këto gjëra në botë, që gëzimi Im të bëhet i plotë në ta. Unë u kam dhënë atyre fjalën Tënde dhe bota i ka urryer, sepse nuk janë prej botës, ashtu si edhe Unë nuk jam prej botës.
Tani Unë nuk lutem vetëm për ta, por edhe për ata që do të besojnë në Mua me anë të fjalës së tyre.
O Atë i drejë, bota nuk të ka njohur, por Unë të kam njohur, dhe këta e kanë njohur se Ti më ke dërguar. Dhe Unë i kam bërë të njohin emrin Tënd dhe do të bëj ta njohin akoma, që dashuria, me të cilën Ti më ke dashur Mua, të jetë në ta dhe Unë në ta.”
Mbasi i tha këto gjëra, Jezusi doli me dishepujt e Vet dhe shkoi përtej përroit të Kedronit, ku ishte një kopsht, në të cilin hyri Ai me dishepujt e Tij. Dhe Juda, i cili po e tradhtonte, e njihte edhe ai atë vend, sepse shpesh herë Jezusi tërhiqej atje me dishepujt e Tij. Atëherë Juda mori një grup ushtarësh dhe rojat e dërguara nga krerët e priftërinjve dhe nga farisenjtë, erdhi atje me fenerë, pishtarë dhe me armë.
Atëherë Jezusi, duke ditur gjithçka që do t’i ndodhte, doli dhe i pyeti: “Kë kërkoni?”
Ata iu përgjigjën: “Jezusin Nazareas.”
Jezusi u tha atyre: “Unë Jam!” Por Juda, që po e tradhtonte, ishte edhe ai me ta. Atëherë grupi i ushtarëve, kapiteni dhe rojet e judenjve e kapën Jezusin dhe e lidhën.
Dhe kështu Pilati doli jashtë drejt tyre dhe tha: “Ç’padi sillni kundër këtij njeriu?”
Ata u përgjigjën dhe i thanë: “Nëse Ai të mos ishte keqbërës, nuk do ta kishim dorëzuar.”
Atëherë Pilati u tha atyre: “Merreni ju dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj [ligjit hebre].”
Por judenjtë i thanë: “Neve nuk na lejohet të vrasim njeri.” Kjo ndodhi që të përmbushej fjala që kishte thënë Jezusi, kur kishte thënë se me ç’vdekje duhej të vdiste.
Atëherë Pilati mori Jezusin dhe dha urdhër ta fshikullonin. Dhe ushtarët thurën një kurorë me gjemba, ia vunë mbi krye dhe i veshën sipër një mantel të purpurt, dhe thoshnin: “Tungjatjeta, o mbret i judenjve”; dhe i binin me shuplaka.
Pastaj Pilati doli përsëri dhe u tha atyre: “Ja, po jua nxjerr jashtë, që ta dini se nuk gjej në Të asnjë faj.”
Jezusi, pra, doli, duke mbajtur kurorën prej gjembash dhe mantelin e purpurt. Dhe Pilati u tha atyre: “Ja njeriu!” Kur e panë krerët e priftërinjve dhe rojet, filluan të bëratsin, duke thënë: “Kryqëzoje, kryqëzoje!”
Pilati u tha atyre: “Merreni ju dhe kryqëzojeni, sepse unë nuk gjej në Të asnjë faj.”
Judenjtë iu përgjigjën: “Ne kemi një ligj dhe sipas ligjit tonë Ai duhet të vdesë, sepse e bëri Veten Bir të Perëndisë.”
Kur Pilati i dëgjoi këto fjalë, kishte akoma më shumë frikë; dhe, si u kthye në pretorium, i tha Jezusit: “Nga je Ti?”
Por Jezusi nuk i dha kurrfarë përgjigje.
Për këtë arsye Pilati i tha: “S’po më flet? Ti s’e di që unë kam pushtet të të kryqëzoj dhe pushtet të të liroj?”
Jezusi u përgjigj: “Ti nuk do të kishe asnjë pushtet përmbi Mua, po të mos të qe dhënë prej së larti; prandaj ai që më dorëzoi tek ti ka faj më të madh.”
Që nga ai moment Pilati kërkoi ta lironte; por judenjtë bërtisnin… “Largoje! Largoje! Kryqëzoje!” Atëherë ai ua dorëzoi që të kryqëzohej.
Dhe ata e morën Jezusin dhe e çuan tutje. Dhe Ai, duke mbartur kryqin e Tij, u nis drejt vendit që quhej “Kafka”, që në hebraisht quhet “Golgota”, ku e kryqëzuan.
Pas kësaj, Jezusi, duke e ditur që tashmë çdo gjë ishte kryer, që të përmbushej Shkrimi, tha: “Kam etje!” Po aty ishte një enë plot me uthull. Pasi shtinë një sfungjer në uthull dhe e vunë në majë të një dege hisopi, ia afruan te goja. Kur Jezusi e mori uthullën, tha: “U krye!” Dhe duke ulur kryet, dha frymën.
Duke qenë se isht dita e Përgatitjes, me qëllim që trupat të mos qëndronin në kryq të shtunën, sepse ajo e shtunë ishte një ditë me rëndësi të veçantë, judenjtë i kërkuan Pilatit që atyre t’u thyheshin kërcinjtë dhe të hiqeshin që andej.
Ushtarët, pra, erdhën dhe ia thyen kërcinjtë të parit dhe pastaj edhe tjetrit që ishte kryqëzuar me Të, por, kur erdhën te Jezusi, dhe si panë se Ai tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, por njëri nga ushtarët ia tejshpoi brinjën me një heshtë, dhe menjëherë i doli gjak e ujë.
Pas këtyre gjërave, Jozefi nga Arimatea, që ishte dishepull i Jezusit, por fshehtas nga druajtja e judenjve, i kërkoi Pilatit që të mund ta merrte trupin e Jezusit; dhe Pilati i dha leje. Atëherë ai erdhi dhe e mori trupin e Jezusit. Por erdhi dhe Nikodemi, i cili më përpara kishte vajtur te Jezusi natën, duke sjellë një përzierje prej mirre dhe aloe, prej rreth njëqind librash. Ata, pra, e morën trupin e Jezusit dhe e mbështollën në pëlhura liri me erëra të këndshme, sipas zakonit të varrimit që ndiqnin judenjtë. Por në atë vend ku Ai u kryqëzua ishte një kopsht, dhe në kopsht një varr i ri, në të cilin ende nuk ishte vënë askush. Aty, pra, për shkak të Përgatitjes së judenjve, e vunë Jezusin, sepse varri ishte afër.
Por ditën e parë pas së shtunës, në mëngjes, kur ishte ende errët, Maria Magdalena shkoi te varri dhe pa se guri ishte hequr nga varri. Atëherë rendi te Simon Pjetri dhe te dishepulli tjetër të cilin Jezusi e donte, dhe u tha atyre: “E kanë hequr Zotin nga varri dhe nuk e dimë ku e vunë.”
Atëherë Pjetri dhe dishepulli tjetër dolën jashtë dhe u nisën për te varri. Rendnin të dy bashkë, por dishepulli tjetër rendi përpara, më shpejt se Pjetri dhe arriti i pari te varri. Dhe, si u përkul, pa pëlhurat prej liri që ishin në varr, por nuk hyri aty.
Arriti edhe Simon Pjetri që po e ndiqte, hyri në varr dhe pa pëlhurat prej liri që ishi përtokë, dhe rizën, që qe vënë mbi kokën e Jezusit; ajo nuk ishte bashke me pëlhurat, por ishte e palosur në një vend, veç. Atëherë hyri edhe ai dishepull tjetër që kishte arritur i pari te varri, pa dhe besoi. Ata në fakt, nuk e kishin kuptuar ende Shkrimin, sipas të cilit Ai duhej të ringjallej së vdekurish. Pastaj dishepujt u ktheyn përsëri në shtëpi.
Por Maria kishte mbetur jashtë varrit, dhe po qante. Dhe, duke qarë, u përkul brenda varrit, dhe pa dy engjëj të veshur me të bardha, ndenjur njëri te kryet dhe tjetri te këmbët e vendit, ku qe trupi i Jezusit.
Ata i thanë: “O grua, pse po qan?”
Ajo u përgjigj atyre: “Sepse e kanë hequr Zotin tim, dhe nuk e di ku e kanë vënë.”
Si tha këtë, ajo u suall prapa dhe pa Jezusin, që qëndronte në këmbë; por ajo nuk e dinte se ishte Jezusi.
Jezusi i tha: “O grua, pse po qan? Kë kërkon?”
Ajo, duke menduar se ishte kopshtari, i tha: “Zot, po e pate hequr ti, më trego ku e vure dhe unë do ta marr.”
Jezusi i tha: “Mari!”
Dhe ajo atëherë u kthye dhe i tha: “Rabboni!”, që do të thotë: Mësues.
Jezusi i tha: “Mos më prek, sepse ende nuk u ngjita tek Ati Im; por shko te vëllëzërit e Mi dhe u thuaj atyre se Unë po ngjitem tek Ati Im dhe Ati juaj, te Perëndia Im dhe Perëndia juaj.”
Atëherë Maria Magdalena shkoi t’jua njoftojë dishepujve se kishte parë Zotin dhe se Ai i kishte thënë këto gjëra.
Pastaj në mbrëmje të po asaj dite, dita e parë e javës, ndërsa dyert e vendit ku qenë mbledhur dishepujt qenë ishin të mbyllura nga frika e judenjve, erdhi Jezusi dhe u prezantua në mes tyre dhe u tha atyre: “Paqja me ju!”
Dhe, si i tha këto, u tregoi atyre duart e Veta dhe brinjën. Dishepujt pra, kur e panë Zotin, u gëzuan. Pastaj Jezusi u tha atyre përsëri: “Paqja me ju! Sikurse më ka dërguar Mua Ati, ashtu Unë po ju dërgoj ju.” Dhe, si tha këto fjalë, hukati mbi ta dhe tha: “Merrni Frymën e Shenjtë!”
Por Thomai…një nga të dymbëdhjetët, nuk ishte me ta kur erdhi Jezusi. Dishepujt e tjerë, pra, i thanë: “Kemi parë Zotin.”
Por ai u tha atyre: “Po nuk e pashë në duart e Tij shenjën e gozhdave, dhe po nuk e vura gishtin tim te shenja e gozhdëve dhe dorën time në brinjën e Tij, unë nuk do të besoj.”
Dhe tetë ditë më vonë, dishepujt ishin përsëri në shtëpi dhe Thomai ishte me ta. Jezusi erdhi, ndonëse dyert ishin të mbyllura, dhe u prezantua midis tyre dhe tha: “”Paqja me ju!”
Pastaj i tha Thomait: “Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e Mia; shtrije edhe dorën dhe vëre në brinjën Time; dhe mos ji mosbesues, por besues!”
Atëherë Thomai u përgjigj dhe i tha: “Zoti im dhe Perëndia im!”
Jezusi i tha: “Sepse më ke parë, Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!”
► | Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë |
► | Kam një pyetje... |