Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë
Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë

A ka paqe pas Parisit?

WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More PDF

Gjendje lufte! Më shumë sesa çfarë ndodhi, synimi afatgjatë i sulmeve është frika.

A do të të gjesh vdekjen nën goditjen e një të panjohuri, ndërsa je duke shëtitur në qytet, a duke pirë kafe me miq?
Askund nuk je i sigurt. Në lindjen e mesme kasaphana duket e zakonshme në kronika televizive, në Paris e Londër, rreziku është njësoj. Nëse vjen në Tiranë, Tetovë a Prishtinë, nuk çuditet askush.
Frika ka ardhur – duke pararendur goditjen!

A ka paqe pas Parisit?

Luftë për paqe

Disa mendojnë që paqja do të vijë kur të ndalen luftërat. Madje sygjerojnë luftë që të ndalohet lufta! Kush nuk do dëshironte një botë pa luftë? Por historia na e ka treguar se kjo nuk ndodh… Megjithëse, ka patur luftra të drejta që duhet të ndodhnin, si në rastin e reagimit të botës ndaj Nazizmit, përsëri, shpresa që bota do jetë në paqe si rezultat i një lufte, duket shpresë utopike!

Kundër refugjatëve

Zërat kundër “kalit të Trojës” – refugjatëve që enden rrugëve të Europës, po shtohen! Natyrshëm! Mundet që ca rreziqe të parandalohen nëse ata kthehen mbrapsht. Por bota është e destabilizuar edhe pa ndikimin e tyre. Ishte e destabilizuar edhe përpara se ata të derdheshin kufinjve të Europës. A ju kujtohet sulmi në Madrid? Në Londër? Në Paris para disa muajsh? Në New York në 11 Shtator?

Po sikur Italia e Greqia të mendonin njësoj për shqiptarët para 20 vitesh? Gjithsesi, paqja nuk do të vijë thjesht me ndalim të varganit të emigrantëve në Evropë.

Padrejtësia e Perëndimit

Po sikur perëndimorët e “padrejtë” të ndalojnë ndërhyrjen në lindjen myslimane? Sipas këtij “zëri”, padrejtësia është përhapur sepse disa shtete po vrasin qytetarë të pafajshëm, ndaj ka sens që këta qytetarë të shtypur tani po reagojnë në mbrojtje të tyre. Kështu thonë disa… Edhe më duket naivitet… Në mos njëanshmëri!
Bota është e padrejtë! Të gjitha palët, në lindje e perëndim, shpesh, e përdorin pushtetin për të shtypur të pambrojturit e minoritetet. Nuk ka një “qeveri krejtësisht të drejtë” – as në lindje e as në perëndim. Aleancat mes vendeve në bazë të interesave të tyre e bëjnë të vështirë gjetjen e “fajtorëve” thjesht te qeveritë e perëndimit! Edhe lehtësia e gjetjes së fajtorëve është thjesht një mënyrë për të shprehur anësi në debat – e në fund nuk zgjidhet asgjë, e paqe prapë nuk do të ketë!

A ka paqe pas Parisit?

Po!
Po ju prezantoj rrugën e paqes… Jam i sigurt që e ke dëgjuar idenë, e nuk është e re. Por është detyrim ta prezantoj si “rrugë të re” sa herë është e nevojshme.

Nuk ka dukje fetare që sjell paqe

Ai – “rruga e paqes”, refuzoi dukjen fetare si alternativë për zemrën njerëzore. Falu e zbato rregulla fetare sa të duash, nuk do të gjesh paqe. Ai, e theksoi që dukja fetare nuk e gënjen dot Perëndinë, sepse ai të sheh zemrën. Dhe zemra jonë, ndryshe nga pamjet e bukura që i japim kur rrëmbehemi nga pasioni i dashurisë emocionale, krejt ndryshe, është e ndyrë, si një pellg i qelbur. Zemra jonë është e korruptuar.

“Siç është shkruar: “Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një. Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë. Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një. Gryka e tyre është një varr i hapur, me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime, ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre; goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi; këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak; 16 në udhët e tyre ka rrënim dhe gjëmë, dhe nuk e kanë njohur udhën e paqes; nuk ka druajtje të Perëndisë para syve të tyre.”1

Ai theksoi, ai, rruga e paqes, që marrja e armëve nuk zgjidh problemin, e zemrës së njeriut përpara Perëndisë. Unë vras, pastaj ti vret, pastaj kush është më i fortë vret dhe vendos rregullat e na detyron ne të tjerëve ti bindemi, e pastaj vjen dikush tjetër e na mëson si të vishemi… Që ti pëlqejmë Perëndisë… E kështu vijon historia. A nuk ka ndodhur kështu prej vitesh? Ku është paqja? Ai, rruga e paqes, nuk sygjeron të marrim armët.

Armët nuk zgjidhin problemin e zemrës, as të atij që vret, e as të atij që vritet!

Paudhësia jonë, mbi kurrizin e të pafajshmit

E padrejtë! Po ju lutem lexoni një përshkrim mëposhtë, e shkruar për Jezusin e Nazaretit, rreth 700 vite përpara se ai të vinte. Lini mënjanë dokrrat e tipit – Bibla nuk është e vërtetë, e kanë ndryshuar, është vetëm libri i disave… thjesht lexoni tekstin dhe vini re paradokset e tekstit!

Në këtë pasazh gjendet oferta e Jezusit të Nazaretit për paqe… krejt ndryshe në krahasim me filozofitë e ideologjirat e kësaj bote!

“Kush i ka besuar predikimit tonë dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit? Ai erdhi lart para tij si një degëz, si një rrënjë nga një tokë e thatë. Nuk kishte figurë as bukuri për të tërhequr shikimin tonë, as paraqitje që ne ta dëshironim. I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes, i ngjashëm me dikë para të cilit fshihet faqja, ishte përçmuar, dhe ne nuk e çmuam aspak. Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur. Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar. Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve. I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën. U çua larg nga shtypja dhe nga gjykimi; dhe nga brezi i tij kush mendoi se ai ishte larguar nga toka e të gjallëve dhe ishte goditur për shkak të shkeljeve të popullit tim? Kishin caktuar ta varrosnin bashkë me të pabesët, po kur vdiq e vunë me të pasurin, sepse nuk kishte kryer asnjë dhunë dhe nuk kishte pasur asnjë mashtrim në gojën e tij. Por i pëlqeu Zotit ta rrihte dhe ta bënte të vuante. Duke ofruar jetën e tij si flijim për mëkatin, ai do të shikojë pasardhës, do të zgjasë ditët e tij, dhe vullneti i Zotit do të ketë mbarësi në duart e tij. Ai do të shikojë frytin e mundimit të shpirtit të tij dhe do të jetë i kënaqur; me anë të diturisë së tij, i drejti, shërbëtori im, do të bëjë të drejtë shumë veta, sepse do të marrë përsipër paudhësitë e tyre. Prandaj do t’i jap pjesën e tij midis të mëdhenjve, dhe ai do ta ndajë plaçkën me të fuqishmit, sepse e ka përkushtuar jetën e tij deri në vdekje dhe u përfshi midis keqbërësve; ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave dhe ka ndërhyrë në favor të shkelësve.

Unë e kam këtë paqe. Për shkak të goditjeve të tij (krejtësisht të pamerituara) unë e kam “të zezën e zemrës sime” të shlyer! Ai ka marrë përsipër paudhësitë e mia! Edhe të tuat! Nëse vendos t’ia besosh zemrën! Ai premton paqe! Premton shpresë! Sepse ka ndërhyrë në favorin tënd!

Si mundet Zoti të dënojë të drejtin për të shpëtuar të padrejtin? Edhe mua më mundon kjo pyetje herë pas here! Por Zoti e ka kryer tashmë veprimin! Kush je ti që t’i japësh mend Zotit se çfarë të mos bëjë e çfarë të mos bëjë?

Lëre Perëndinë të të shërojë! Të të shpëtojë!

Edhe unë kam merak se çfarë do të ndodhë me botën tonë! Kam merak për vuajtjet që mund të përjetojë familja ime, miqtë e mi, shqiptarët, parizienët, sirianët e libanezët!

Por përtej merakut, kam paqe, sepse të ndjekësh “rrugën e paqes” që ka ofruar Jezusi, është e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga ky “brez i çoroditur”, duke huazuar termin nga Pjetri, në fjalimin e tij të parë pas ringjalljes së Jezusit.

Paqe në këtë botë të trazuar sjell vetëm pranimi i dhuratës së Perëndisë në ndëshkimin e Jezusit të Nazaretit – në rradhë të parë paqe me Perëndinë që e kemi injoruar, fyer e harruar; e pastaj paqe me komshiun mik e armik. Sidomos me këtë të fundit, armikun, i cili tragjikisht vret, duke shpresuar se vrasja do t’i shërojë zemrën e përlyer me llum!

Mos e lër veten të befasohesh si ai, vrasësi, kur të dalësh përpara Perëndisë së universit… Edhe Krijuesi i Universit, të të thotë: “përse e mohove ofertën time për paqe?”

“Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë. Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar; por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk. Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet”, Jezusi.

Nëse keni nevojë për ndihmë se si të paqtoheni me Perëndinë, ose keni pyetje, klikoni në linqet më poshtë!

 Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë
 Kam një pyetje...
TREGOJUA MIQVE:
WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More