Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë
Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë

Të pavarur… në kërkim të pavarësisë!

WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More PDF

Duket se është koha e shqiptarëve, në këtë fillim shekulli të dytë të pavarësisë.

Në 100 vjetorin e pavarësisë, isha pjesërisht vizitor i dalldisë së këndshme shqiptare të festimeve, me një vizitë në Vlorë një natë përpara përvjetorit të madh. Vitin tjetër vizitova Shkupin, duke kërkuar me pikatore fjalë shqip, që shfaqen rrallë aty-këtu, si jetimë mes gërmave të pakuptimta cirilike!

Çfarë vlere ka pavarësia e një populli?

Ndonjëherë, dikush tjetër, duke folur për një kontekst krejt të ndryshëm nga i yni, thotë fjalë që vlejnë më shumë sesa ato që mund të themi ne në kontekstin tonë. E në këtë rast, fjalët e Abraham Linkolnit, thënë rreth 200 vite më parë në përkujtim të një beteje të luftës civile, ku humbën jetën më shumë se 50.000 njerëz, më tingëllojnë aktuale për të theksuar vlerën e pavarësisë së shqiptarisë së sotme.

“Por, në një kuptim më të gjerë, nuk mund ta përkushtojmë, nuk mund ta shenjtërojmë, nuk mund ta veçojmë, këtë tokë. Burrat e guximshëm, të gjallë e të vdekur, që u përpoqën këtu, e kanë shenjtëruar këtë vend përtej fuqisë sonë të mjerë për të shtuar a hequr. Bota nuk do ta vërë re e as nuk do të mbajë mend se çfarë themi në këtë vend, por nuk do të mund të harrojë kurrë çfarë ndodhi këtu. Është për ne të gjallët, më shumë, që të përkushtohemi këtu për punën e pambaruar të atyre që kanë luftuar deri tani për ta sjellë deri këtu. Ne duhet të përkushtohemi për detyrën e madhe që ka ngelur përpara nesh – që ne ta rrisim përkushtimin tonë të nxitur prej këtyre të vdekurve të nderuar, ndaj çështjes për të cilën ata dhanë edhe të fundit masë të plotë të përkushtimit të tyre – që ne këtu sot e zgjidhim njëherë e mirë që këta të vdekur nuk kanë vdekur kot – që ky komb, nën Zotin, do të ketë një lindje të re lirie – dhe një qeveri e popullit, nga populli, për popullin, nuk do të humbasë në këtë tokë.”

(Abraham Linkolni, Fjalimi i Getisburgut, 19 Nëntor 1863)

Bota mban mend, jo vetëm të rënët e asaj beteje, por edhe fjalët monumentale të Linkolnit. Sepse fjalët e tij, shprehin thelbin e dëshirës së një kombi për të jetuar të lirë e të pavarur prej hijes së rëndë të një pushtuesi.
Çfarë mund të dallojmë nga fjalimi i tij, që ka peshë edhe për shqiptarinë e sotme?
1. Liria e meriton sakrificën e jetës së dikujt!
Edhe ne shqiptarët, nuk i kemi pak të rënët për lirinë e vendit, të hershëm e madje edhe të viteve të fundit. Por përtej atyre që u sakrifikuan pa kthim mbrapa, liria e meriton edhe sakrificën e atyre që janë gjallë. Sa pak shqiptarë duket se ka, që janë gati të përkushtohen pa asnjë kthim mbrapa për lirinë e vendit. Sot, gjithë shqiptarisë po ia merr frymën zelli i do politikanëve që vdesin vetëm për mirëqënien e vet. E disa të tjerë, po ngrenë dorë mbi të vetët, jo për liri, por për përfitime personale. Turp! E Linkolni kishte të drejtë, kur nënkuptoi se më shumë se të vdekurit, ky vend ka nevojë për të gjallët për t’ia mbajtur gjallë lirinë njerëzve.
2. “që ky komb, nën Zotin…”
E sa problem kemi në mes shqiptarisë në lidhje me kuptimin tonë për Zotin. Në shekullin e pavarësisë, e madje edhe kohë përpara, shqiptarët kanë rënë pre e presioneve të gjithfarëllojshme për ta zbehur kërkimin e së vërtetës në lidhje me Zotin. Disa, nën nxitjen e ateizmit kanë hequr dorë fare nga kërkimi. Të tjerë, e kanë lidhur identitetin fetar me kombe të tjera, e janë gati ta shtypin edhe vëllain shqiptar nën emrin e ideologjive radikale që as vetë nuk i njohin mirë; të tjerë e shtrydhin lirinë e të menduarit nën emrin e traditave fetare të paraardhësve, tradita të cilat as nuk denjojnë t’i shqyrtojmë me mendje të hapur e të kthjellët. “Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë”, – tha Jezu Krishti. Dhe e kundërta e kësaj deklarate, që erdhi nga vetë burimi i së vërtetës, mund të thuhet në këtë mënyrë: “Nëse nuk e njihni të vërtetën, do të jeni të robëruar.” Pikërisht!
Në emër të kërkimit për Zotin, disa janë robëruar e as kanë guxim të mendojnë, të shqyrtojnë, e të kërkojnë të vërtetën!
3. Liria e Faljes
Shqiptarët e kanë mbushur zemrën me urrejtje. Urrejtje për gjithkënd! Disa urrejnë kombësi të tjera, sepse, ndër vite, kanë përjetuar dhimbjen e poshtërimin e më të fortit. Por më shumë se kaq, ne duket se i kemi bërë të keqen njëri-tjetrit. Ne e shikojmë tjetrin si më të ulët se vetja, përpiqemi shpesh t’ia bëjmë gropën shokut e të përfitojmë më shumë për vete në kurriz të fqinjit. Si ta zgjidhim ngërçin që na shkakton urrejtja, në rradhë të parë në zemrën tonë?

Kaluam një shekull në ecje por prapë u rrëzuam,
Kaluam një shekull, por prapë s’mund të qëndrojmë në këmbë,
Kaluam një shekull mësime e asgjë s’mësuam
O i paditur, syri i pangopur një popull e shemb!
Sa gjatë do të shkojë derisa ne ta duam vetveten,
Sa gjatë do të shkojë derisa fatin vetë ta ndryshojmë
Sa gjatë do të shkojë derisa tjetrit t’ia çmojmë jetën,
A më tregoni se ku ta gjej forcën sot të këndoj….

Fjalët e këngës “Nëntori i ftohtë” nga grupi nga Kosova, Jericho, flasin qartë, fort dhe peshojnë rëndë. Thirrja e grupit që ta duam vetveten e në të njëjtën kohë t’ia çmojmë jetën tjetrit nuk egziston tani për tani në kontekstin kulturor shqiptar. Dhe pikërisht këtu qëndron kontradikta: shqiptarët janë qartazi të dyzuar mes dashurisë për veten dhe çmimit të tjetrit. Në shumë rrafshe, dashuria për veten e përjashton dashurinë për tjetrin. Nëse në zemrën tënde i bën shumë vend dashurisë për veten tënde – ti je më i miri, më i vlerësuari, më i çmuari, më i pazëvendësueshmi – atëherë vështirë se ngelet në zemër qoftë edhe pak vend për të dashur e çmuar një tjetër. Dalëngadalë, fillon e ngrihet kulti i vetvetes, që thjesht pranon veten e asnjë tjetër në rrethin e ngushtë ku ndizen qirinjtë e adhurimit të “hyjnisë” personale të kultit.
Sot, më shumë se kurrë, na duhen njerëz, që kanë guximin të lënë mënjanë dashurinë për vetveten, edhe të duan dikë tjetër më shumë se vetveten – dikë që ia vlen realisht të duhet më shumë se vetvetja, ose të paktën, të jetë përtej vetvetes. Atëherë mund të flasim për një ditë të këndshme që ia vlen të këndohet…
Historia e Jezuit të Nazaretit, përtej dukjes fetare të përfshirë në tradita që thjesht ngrenë mure, na jep modelin e duhur për ta tejkaluar dashurinë për veten, drejt dashurisë së pafundme për Perëndinë në rradhë të parë, e rrjedhimisht edhe për tjetrin. Ai (Jezui), duke qënë Perëndi, e përuli veten e u bë njeri, në mënyrë që disa të mësojnë nga modeli i tij, e disa të tjerë të vazhdojnë ta lënë mënjanë historinë nën arsyetimin që kjo është histori absurde, se sipas tyre, Zoti nuk mund të bëhet njeri, e as nuk mund ta poshtërojë vetveten deri në atë pikë… deri në atë pikë sa të vdesë për të ligën e zemrës sonë, deri në atë pikë sa të na japë një mundësi të jetojmë të lirë plotësisht, më shumë sesa nga pushtuesit e jashtëm, nga pushtimi i një zemre që nuk do tjetrin, por jepet pas së ligës; që nuk fal por urren, që nuk kërkon më të mirën, por kënaqet me medioktritetin e padrejtësinë… Ai e përuli veten deri në vdekje. Tani ka ardhur koha jonë të pranojmë vdekjen e tij, ose të presim “burgun” tonë deri në vdekje…

Pranoje sot, nën dritën e përkujtimit të pavarësisë së Shqipërisë, mundësinë për të përjetuar lirinë e vërtetë të dashurisë së Perëndisë… pa kushte! Dhe festa do të ketë më shumë kuptim…

 Sapo e ftova Jezusin në jetën time (këtu do të gjeni informacion të dobishëm)...
 Mbase dëshiroj ta ftoj Jezusin në jetën time, ju lutem ma shpjegoni këtë më qartë...
 Kam një pyetje...
TREGOJUA MIQVE:
WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More