Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë
Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë

Ëndrra Studentore në Universitet

Universiteti ka filluar!

WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More PDF

Çdo mëngjes, më zë syri të rinj që nxitojnë në të katër anët e qytetit. Ca të qetë e moskokëçarës e ca të tjerë me frikë e të ndrojtur. Ca sikur sapo kanë dalë nga pasarelat e modës e ca të tjerë që stonojnë pak. Pavarësisht kësaj, të gjithë e quajnë veten STUDENTtttttttttt

Pavarësisht vitit të studimit, në vit të parë apo në master, secili prej tyre e ka patur ose e ka akoma një ëndërr të lidhur ngushtë me ardhjen në universitet.

Përpiqu ta sjellësh në mendje ëndrrën tënde tani, ndërsa po lexon këtë artikull. Ndoshta ke ëndërruar se me studimet universitare do të kesh përcaktuar përfundimisht të ardhmen tënde; ndoshta ke ëndërruar se dega që po ndjek, do të jetë karriera për t’u ndjekur; ndoshta ke ëndërruar që të jesh i pari i kursit; ndoshta ke ëndërruar që do të jesh i rrethuar nga shokë e miq të shumtë; ndoshta ke ëndërruar që jeta jote në universitet do të jetë e mbushur plot qejfe. Ndoshta … e kështu me ndoshta, mund të vazhdoja të bëja një listë të gjatë.

“Po pse, a ka ndonjë problem që lista të jetë e gjatë?” – mund të më pyesësh me të drejtë.

“Jo, jo, fare” – përgjigjem unë. Veçse kur kalon ca kohë (studentët e vitit të dytë e lart më kuptojnë!), e kupton se shumë nga ato ëndrrat e mësipërme fillojnë e zhdavarriten apo i merr era.

Një pjesë e tyre, janë në kuptimin e vërtetë të fjalës, ëndrra (edhe me syhapur po deshe dhe ne bëhemi esëll kur prekim realitetin). Një pjesë tjetër, janë vetëm gjysmë-ëndrra/gjysmë-realitet.

Kurse një pjesë tjetër e fundit, janë të lidhura me realitetin mjaftueshëm, veçse duan punë e përkushtim që të bëhen të vërteta.

Vështirë se do të gjesh të gjithë studentët e kursit tënd të të besojnë ty (as ti vetë s’ke për t’i besuar gjithsecilit prej tyre), kështu të rrethohesh nga një turmë e madhe shokësh.

Ndoshta me kalimin e kohës, do të zbulosh se je në degën e gabuar, apo se ajo është shumë më e vështirë sesa e kishe menduar; apo se metoda e studimit në universitet dhe arritja e rezultateve është shumë e ndryshme krahasuar me atë që kishe kur ishe në gjimnaz.

Ndoshta menaxhimi i parave që të kanë dhënë prindërit mund të dalë shumë më i koklavitur se ç’e kishe menduar dhe kështu preket pastaj edhe pavarësia dhe bërja qejf. Nuk po e zgjas më me këtë çështjen e pritjeve, se besoj që e kape idenë time.

Po çfarë pritet në të vërtetë të ëndërrojë një person që shkon në universitet?

Le ta filloj me çfarë s’pritet të ëndërrojë:

Nuk pritet të ëndërrojë, që ta lërë universitetin në mes (e lehtë kjo për t’u marrë me mend).

As nuk pritet të ëndërrojë, që thjesht ta mbarojë universitetin, vetëm sa për të marrë diplomën.

As nuk pritet të ëndërrojë, që ta mbarojë universitetin me nota të shkëlqyera, por që s’di të bëjë gjë në botën reale, për shkak se ka qenë tërësisht i shkëputur nga ajo. Kur isha vetë student, kam dëgjuar nga një ish-student amerikan, që i ishte propozuar të punonte në NASA, se NASA vetë, nuk punësonte studentë që ishin me medalje, e as të dobët, por që ishin diku rreth mesatares 8-9. Pra nuk pritet nga ai që të bëhet “PESHKOP”, siç quheshin në kohën time studentët që rrinin tërë ditën vetëm mbi libra.

Ajo që pritet të ëndërrojë një student është:

Pritet të ëndërrojë të mbarojë studimet dhe me një mesatare të lartë madje.

Pritet të ëndërrojë që të ketë mësuar sesi të njohë botën që e rrethon e pastaj të reagojë ndaj saj. A e di se çfarë kuptimi ka fjala UNIVERSITET? Ti mund të përgjigjesh (ashtu siç edhe unë dikur) se ka lidhje me Universin në përgjithësi e Universin e dijes në veçanti. JO!

Fjala UNIVERSITET vjen si bashkim i dy fjalëve: UNITET në DIVERSITET. Do të thotë që një student universiteti, duhet të jetë i aftë të paktën në fund të studimeve, që të sjellë UNITET në një botë plot DIVERSITET.

Pra ai duhet të mësojë në universitet jo vetëm një njohuri specifike të degës ku po studion, por se si kjo njohuri vihet në zbatim dhe si lidhet me pjesën tjetër të njohurisë dhe të jetës njerëzore, qofshin këto edhe mjaft në kundërshtim me atë që mendon deri në këto momente.

Por, që të arrihen këto pritje, duhet punë, përkushtim e disiplinë, të jesh mendjehapur ndaj ideve të ndryshme, t’i shqyrtosh ato, e të tjera si këto.

Ekonomisti italian i fillim shekullit të 20-të, Vilfredo Pareto, thotë se përgjithësisht në përfitimin (korrjen) e 80% të rezultateve të një veprimtarie, ndikojnë rreth 20% e veprimeve, proçeseve e vendimeve të marra.

Si lidhet kjo me ty? Të duhet të gjesh 20% tënd të vendimeve, veprimeve, apo zakoneve e shprehive, në mënyrë që të korrësh shpejt e me siguri 80% të rezultateve që po pret nga koha e studimeve universitare.

Apo mos vallë e ke gjetur këtë 20%? Unë do ta uroja këtë për ty.

Por, mos u nxito! Ki edhe pak durim dhe më lejo të të shpjegoj edhe diçka tjetër interesante (të paktën për mua):

Studimet psikologjike kanë treguar se të kërkosh, ta gjesh dhe ta zbatosh të vërtetën, është një nga dhuratat më të çmuara që mund t’i bësh vetes. Përshtatja e vetes tënde me të vërtetën, do të të lejojë të bëhesh një person edhe më i mirë. Si rrjedhojë edhe arritja e rezultateve të vërteta, që do të jehojnë në përjetësi, sikurse e thotë edhe Rasëll Krou në rolin e gladiatorit (në filmin me të njëjtin titull). Ose e thënë ndryshe nga një nga figurat më të mëdhaja historike të njerëzimit, Krishti: ju do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.

Ki kujdes! Përsëri studimet psikologjike na vijnë në ndihmë.

Ato thonë se ekzistojnë katër nivele të njohjes së vetvetes:

  • Gjëra që ti dhe të tjerët e dinë se janë të vërteta për ty (fusha të dukshme).
  • Gjëra që ti i di se janë të vërteta për ty, por të tjerët nuk i dinë këto për ty (fusha të padukshme, të fshehura).
  • Gjëra që të tjerët i dinë se janë të vërteta për ty, por ti nuk i di (fusha të verbra).
  • Gjëra që, as ti e as të tjerët, nuk i dinë se janë të vërteta për ty, por që do të zbulohen me kalimin e kohës (fusha të panjohura).Për mua personalisht, pranimi i ekzistencës së botës shpirtëtore, ishte një ato të vërteta që unë mendoja se e njihja. S’ekzistonte një botë e tillë. Isha rritur dhe edukuar si një ateist, që shkenca i kishte dhënë të gjitha përgjigjet pse ishte në këtë botë. Por kur erdha në universitet, u përballa me ide të ndryshme, të cilat, pasi i shqyrtova, më ndihmuan të kuptoja se kjo ishte fusha ime e verbër. Tani e pranoj atë që thotë i urti në Bibël se “Frika (druajtja) e Zotit është fillimi i njohjes”.

Ç’të bësh? Mos e merr lehtë! Koha ikën e fluturon pa e marrë vesh, e mund të kujtohesh kur të jetë tepër vonë. Pyet, shqyrto, lexo, diskuto pa u lodhur, derisa të kesh kuptuar çështjen në thellësi e gjerësi, e pastaj duke qenë i sinqertë me veten të marrësh vendimet e duhura, apo të bësh korrigjimet e duhura, nëse është e nevojshme!

Nëse ke dëshirë të kuptosh më shumë mbi të vërtetën lidhur me anën shpritërore dhe Perëndinë, lexo artikujt e tjerë në këtë uebsait ose kliko këtu,klikoketunëse do të dish më shumë se si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë.
Do të kisha shumë dëshirë të dëgjoja komentet e tua për këtë, prandaj të lutem të më shkruash.

Shkroi per www.pyetjetejetes.com E. Kole

 Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë
 Kam një pyetje...
TREGOJUA MIQVE:
WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More