Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë
Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë

Romanca me ujqërit

Një djalë jep këshilla të sinqerta në lidhje me seksin dhe marrëdhëniet me vajzat.

WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More PDF

nga Një Anonim

Është një shprehje që thotë, “Plani më i mirë është të përfitosh nga budallallëku i të tjerëve.” Për këtë flet ky artikull. Dua të ndaj me ju disa gjëra që kam mësuar – nga pësimet — në lidhje me vajzat dhe marrëdhëniet. Më specifikisht, kam shkruar dhjetë arsye pse tani po pres deri në martesë për seks.

Arsyeja #1:
Tani e di se seksi nuk është ashtu siç prezantohet.

Kur isha në universitet, më kujtohet që kam përjetuar diçka si një “dhimbje koke nga dashuria.” Pasi kisha qenë me një vajzë, mëngjesin tjetër gjithmonë ndjeja një zbrazëti. Kjo është diçka që nuk e shikon në TV ose në filma, por ndodh shumë. Ndjeja një zbrazëti, madje pendim, më pas.

“Dhimbja e kokës nga dashuria ” ishte një diçka e çuditshme për mua. Kryesisht sepse kur isha në universitet, seksi ishte “Perëndia” im. Si mashkull për këtë mendoja mëngjes, drekë, darkë. Prandaj merret me mend se seksi do të më përmbushte plotësisht – do të ishte si arritja më e lartë në adhurimin e “Perëndisë tim.” Dhe megjithatë, shpesh kisha një mungesë përmbushjeje më pas.

A ka qenë edhe për ty kështu? Ke patur edhe ti ndonjëherë një ” dhimbje koke nga dashuria”? Nëse po, duhet të ndalesh dhe të mendosh, “Pse ndodh kjo? Pse ndodh që seksi, nëse është kaq i rëndësishëm për mua, më lë me një ndjenjë zbrazëtie?”

Më kujtohet që kjo zbrazëti më ngatërronte. Atëherë arrita në përfundimin: “Thjesht kam nevojë për më shumë [seks], kjo është e gjitha.” (Ne shpesh mendojmë kështu për gjërat që shpresojmë se do të na përmbushin, por pastaj nuk na përmbushin. Për shembull, ne blejmë makinën e ëndrrave tona, por pas ca kohe nuk na duket më aq “fantastike”. Në vend që ta kuptojmë se një makinë nuk mund të na kënaqë vërtet, ne zakonisht mendojmë në mënyrë të gabuar, “Epo, ndoshta nuk ishte makina e duhur. Një tjetër do të më kënaqë përfundimisht.”)

Por zbrazëtia vazhdonte. Kështu, më në fund, arrita në përfundimin që seksi paramartesor nuk ishte ashtu siç prezantohej. I bëhet shumë reklamë, po nuk është ashtu siç del nëpër filma. Po të ishte ashtu, do të ishte plotësisht përmbushës. Nuk do të ishte ajo “zbrazëti.”

Arsyeja #2:
Tani dua të tregoj më shumë respekt ndaj vajzave.

Kam zbuluar se vajzat shpesh nuk e kuptojnë plotësisht se ç’po ndodh kur vjen puna te seksi. Domethënë, këndvështrimi i tyre mbi të gjithë këtë çështje është shumë i ndryshëm nga i djemve. Shpesh një vajzë e justifikon seksin duke thënë, “Por unë e dua,” edhe nëse ajo nuk ka dëshirë t’i hyjë kësaj pune. Pse ndodh kjo? Thuhet, “Vajzat përdorin seksin për të marrë dashuri; djemtë përdorin dashurinë për të marrë seks.”

Kjo funksionon kështu: vajza përfytyron që do të martohet më djalin një ditë; djali përfytyron çdo gjë që ai do të bëjë me vajzën përpara sesa të shkojë t’iu tregojë shokëve. Dhe ndërkohë që diçka brenda saj i thotë asaj se kjo është gjëja e duhur për të bërë, diçka brenda djalit i thotë atij krejt të kundërtën, megjithatë ai vazhdon. Pse? Për kënaqësinë fizike, padyshim, por gjithashtu, mendoj edhe për një arsye tjetër: e bën atë të ndihet burrë. Por në gjithë këtë ka një ironi të madhe, sepse ç’burrëri është të mashtrosh një vajzë?

Diçka që kam zbuluar është se kur nderon një vajzë, ti po nderon veten. Pse? Sepse një ditë do të pendohesh, dhe pendimi do të zgjasë shumë më tepër se kënaqësia. Në filmin Rob Roi, personazhi kryesor thotë, “Nderi është një dhuratë që njeriu ia jep vetes.” Kur nderon një vajzë duke bërë atë që e di në zemrën tënde se është e drejtë (dmth, atë që është për të mirën e saj), ti nderon veten dhe sigurohesh që nuk do të jetosh me keqardhje dhe pendim për një kohë të gjatë.

Arsyeja #3:
Ajo është gruaja e dikujt tjetër.

Ajo që dua të them është kjo: shumica e vajzave me të cilat kam qenë, tani janë martuar me burra të tjerë. Kur e vendos veten në vend të atyre burrave, dëshiroj të mos e kisha bërë atë që kam bërë. Në fakt, më vjen ta qëlloj veten me grusht në fytyrë për këtë.

Dhe kështu është e kuptueshme që kur të martohem, nuk do të më pëlqejë ideja që dikush tjetër ka bërë ç’ka dashur me gruan time. Po ty? Do të të pëlqente ideja që dikush tjetër ka qenë me gruan tënde? Nëse tani ke një të dashur dhe ndihesh ashtu, mendo sa më e fortë do të jetë kjo ndjenjë për gruan tënde një ditë.

Mund ta çosh këtë edhe një hap më tutje. Ajo vajzë është bija e dikujt. Po sikur ajo të ishte bija ime? Ose sikur të ishte motra ime? A do të doja që një djalë të përfitonte nga ajo? Tani i shoh vajzat nga një këndvështrim tjetër. Ato janë gratë, bijat, motrat e dikujt tjetër.

Arsyeja #4:
Seksi ka shkatërruar miqësinë time më të mirë.

Unë kisha një shoqe në universitet, që ishte vajza e ëndrrave të mia. Me të s’kisha asnjë çast të mërzitshëm. Ne përputheshim në çdo gjë. Pritëm pak, dhe pastaj, me iniciativën time, filluam marrëdhëniet seksuale.

Seksi shpejt u bë fokusi kryesor i marrëdhënies sonë. Unë nuk doja ta njihja më në ndonjë nivel tjetër. Dhe kështu, në vend që të afroheshim, filluam të largoheshim. Prandaj them që seksi më shkatërroi miqësinë më të mirë. Njerëzit bashkëveprojnë në nivele të ndryshme — emocional, mendor, fizik, shpirtëror. Por kur ne filluam të bashkëvepronim vetëm në nivelin fizik, kjo i dogji pjesët e tjera të marrëdhënies sonë. Si rezultat, marrëdhënia si e tërë mori të tatëpjetën. Ne ndoshta do të ishim bashkë edhe sot e kësaj dite po qe se do të kishim (kisha) pritur.

Këtë e kam parë të ndodhë në shumë marrëdhënie, jo vetëm të miat, por edhe të shumë njerëzve të tjerë. Dhe mendoj se ka një arsye për këtë, që do ta shpjegoj më poshtë.

Arsyeja #5:
Seksi përpara martesës shkatërron pjesët e tjera të marrëdhënies.

Për mua, dy gjëra ndodhnin sapo kryeja seks me një vajzë. Kur e mendoj tani, mund të them se kjo ndodhte çdo herë, megjithëse atëherë nuk isha i vetëdijshëm për këtë. Këto dy gjëra ishin: 1) e humbisja respektin për vajzën (megjithëse nuk doja); dhe 2) ajo fillonte të mos kishte besim tek unë (megjithëse nuk donte).

Nuk e di pse ndodhte kështu, vetëm e di se kështu ndodhte. Ndoshta sepse kështu jemi “gatuar”. Por një gjë është e sigurt: Unë nuk jam i vetmi. Këtë e kam parë të ndodhë shumë herë. Njoh shumë njerëz që kanë probleme martesore sepse kanë qenë përfshirë në seks paramartesor. Ata hyjnë në martesë me mungesë respekti dhe mungesë besimi, dy domosdoshmëri absolute për shëndetin e çdo martese.

Njoh një çift të sapomartuar që kryejnë seks më pak se një herë në muaj për këtë shkak–ai nuk e respekton atë, ajo e di, dhe nuk i beson, kështu që nuk ka dëshirë t’i jepet. Është për të ardhur keq, po është një dukuri më e përhapur sesa mendoni. Megjithatë, askush nuk flet për këtë në publik. Dhe filmat dhe TV që portretizojnë çifte që kryejnë seks përpara martesës nuk e thonë këtë. Duket sikur askush nuk do ta pranojë që kjo është e vërtetë, megjithëse është.

Arsyeja #6:
Pritja për të patur seks me gruan time do të thotë seks më i mirë në martesë.

Pse? Sepse unë do të hyj në martesë me më shumë respekt për të dhe ajo me më shumë besim tek unë. Një gjë kam mësuar: nëse një vajzë nuk i beson një djali, ajo nuk do t’i jepet plotësisht atij. Thellë në veten e saj ajo nuk ka dëshirë të rrijë me të.

Kjo funksionon kështu. Meqenëse “vajzat përdorin seksin për të marrë dashuri, dhe djemtë përdorin dashurinë për të marrë seks,” një çift kryen marrëdhënie seksuale përpara martesës. Vajza e bën këtë për të ruajtur marrëdhënien. Djali e bën këtë sepse ai e do këtë gjë edhe më shumë se vetë marrëdhënien. Pastaj, pas martesës, gruaja e mori atë që deshi: përkushtimin e burrit. Prandaj ajo nuk ka pse të përdorë seksin më për ta marrë atë. Dhe, për shkak se ajo mund të jetë e mërzitur me të që patën seks përpara martesës, seksi për të nuk është diçka e këndshme. Dhe djali – i cili nuk ka aq respekt për gruan e tij për shkak të seksit përpara martesës – ende do seks por jo si një përvojë lidhëse me gruan e tij. Ai thjesht do seks, dhe ajo e kupton. Kështu jeta e tyre seksuale në martesë është jo e bukur.

Nuk po i sajoj këto gjëra. Tani që e kam mbaruar universitetin dhe shumë njerëz rreth e rrotull meje po martohen, po e shoh këtë gjithnjë e më shumë. Ilaçi: pritja deri në martesë për të patur marrëdhënie seksuale do t’i japë burrit më shumë respekt për gruan dhe gruas më shumë respekt për burrin. Dhe si rrjedhim ata do të kenë seks më të shpeshtë dhe më të mirë sepse e duan dhe e respektojnë njëri-tjetrin më shumë.

Arsyeja #7:
Mospasja e marrëdhënieve seksuale me gra të tjera do të thotë seks më i mirë në martesë.

Seksi është një gjë misterioze që shkakton një lidhje të thellë midis dy njerëzve, edhe nëse e quajmë “të rastësishëm.” Problemi është ky: sa më shumë lidhem me vajza të tjera, aq më pak do të mund të lidhem me gruan time të ardhshme. Është si puna e një cope ngjitësi – sa më shumë ta përdorësh në sipërfaqe të ndryshme, aq më pak do të ngjitë. Pas ca kohe, nuk ngjit në asgjë.

Nëse lidhem me vajza të tjera përpara se të martohem, nuk do të mund të lidhem aq mirë me gruan time një ditë. Nuk do ta çmoj aq shumë sa mund ta çmoja, dhe si rrjedhim nuk do ta dua aq shumë sa mund ta doja. Çdo ditë që kalon dhe unë i qëndroj besnik gruas sime të ardhshme do të sigurojë që marrëdhënia me të do të jetë më e mirë.

Ndodh një gjë qesharake: kultura jonë e dënon tradhëtinë bashkëshortore, megjithatë e fal shumë lehtë seksin paramartesor, madje edhe me shumë partnerë. Kjo është ironike. Sepse, nëse heq vetëm elementin kohë nga ekuacioni, seksi paramartesor është tradhëti bashkëshortore. Mund ta imagjinojmë se sa mund ta dëmtojë tradhëtia bashkëshortore një marrëdhënie martesore; ndoshta seksi paramartesor ka afërsisht të njëjtin rezultat. Ai dëmton lidhjen e mundshme midis një burri dhe një gruaje.

Arsyeja #8:
Nuk kam pse të fle me një vajzë për të ditur nëse jemi apo jo “seksualisht të përputhshëm.”

Seksi është krijuar me qëllimin për ta plotësuar një marrëdhënie, jo për të qenë aspekti më i rëndësishëm i saj. Kjo është ajo që kam zbuluar. Ai duhet të jetë kremi mbi tortë kur të gjitha aspektet e tjera të marrëdhënies funksionojnë mirë. Kam kuptuar se seksi do të jetë i mirë nëse pjesa tjetër e marrëdhënies është e mirë. Prandaj e di që nuk kam pse të fle më përpara me gruan time për të ditur a jemi të përputhshëm seksualisht. Nëse shkojmë mirë në çdo fushë tjetër, ana seksuale do të jetë në rregull.

Këtu duhet thënë edhe diçka. Një gjë tjetër që mendoj se kam “zbuluar” është kjo: kur e vendos seksin si faktorin vendimtar të marrëdhënies, rezultati do të jetë seks jo i kënaqshëm. Mendoni pak. Nëse e vendosni marrëdhënien tuaj seksuale nën një mikroskop,duke e vlerësuar gjithmonë dhe duke vlerësuar marrëdhënien në bazë të tij, është e sigurt që nuk do t’i qëndrojë provës. Është si të jesh në burg. Je mbyllur në diçka që duhet të të çlironte jo të të kufizonte.

Por, kur fokusohesh në pjesë të tjera të marrëdhënies, dhe seksi nuk është fokusi kryesor, atëherë je i çliruar për të patur një jetë seksuale më të kënaqshme, pa presionin për ta bërë gjithmonë spektakolar. (Sepse nuk do të jetë.) Dhe megjithatë, nuk mendoj se kur isha në moshën e universitetit isha në gjendje të mos fokusohesha në seks, dmth, kur ishte i pranishëm. Prandaj mendoj se është më mirë të presësh.

Arsyeja #9:
Kam gjetur diçka më përmbushëse sesa seksi.

E di që po mendoni: “Po, po.” Por është e vërtetë. Dhe në fakt, në një farë mënyre seksi më ndihmoi ta zbuloja atë diçka që ia kalon atij. Dhe ajo diçka nuk është në të vërtetë diçka, është një dikush. Është Perëndia.

Vetëm më dëgjoni edhe në këtë. E di që mund të tingëllojë si e ekzagjeruar, po po ta shohësh në tërësi, ka kuptim. Perëndia na ka krijuar në mënyrë të tillë që asgjë përveç Atij nuk mund të na përmbushë plotësisht. Ai e ka ndërtuar këtë në sistemin njerëzor, dhe në secilin nga sistemet individuale. Siç e tha dikush, “Brenda çdo personi është një vakuum në formën e Perëndisë që vetëm Perëndia mund ta mbushë.”

Kjo është arsyeja pse njerëzit ndërrojnë karriera, partnerë, moda, etj — sepse në kërkimin tonë për përmbushje përfundimtare, ne mërzitemi me gjërat (dhe njerëzit) që nuk na e japin këtë. Kështu që ne i flakim ato (ata) dhe kalojmë në diçka (ose dikë) tjetër, duke shpresuar se në to (ta) do të gjejmë atë përmbushje që po kërkojmë vërtet. Por problemi është se nuk kemi për ta gjetur kurrë derisa të vijmë te Perëndia, sepse këtë vetëm Ai mund ta japë.

Perëndia na do shumë. Ai do më të mirën për ne, dhe kjo është Vetja e Tij. Askush ose asgjë nuk është më e rëndësishme se Perëndia. E di që kjo është e vërtetë sepse e kam zbuluar vetë. Zbrazëtia që kisha – pasi blija këtë e blija atë, pas aventurave seksuale, pas gjithë përpjekjeve për t’u përmbushur në jetë – mori fund kur e ftova Perëndinë në jetën time. Më specifikisht, kur ftova Jezu Krishtin në jetën time. Jezu Krishti tha, “Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri, dhe kush beson në mua nuk do të ketë më kurrë etje.” (Gjoni 6:35). Këto fjalë u vërtetuan në jetën time. Kur fillova një marrëdhënie me Perëndinë, vakuumi me formën e Perëndisë brenda meje më në fund u mbush. Nuk ndihesha më bosh. Si rrjedhojë, njohja e Perëndisë më ka dhënë një kënaqësi më të thellë sesa më ka dhënë seksi ndonjëherë.

Arsyeja #10:
Perëndia më ka dhënë forcën për të pritur.

U bën vite që s’kam marrëdhënie seksuale. Do të doja të thosha se s’kam patur ndonjëherë, por s’mund ta them këtë. Kam shumë keqardhje (dhe, siç thashë më përpara, ato kanë zgjatur shumë më tepër se kënaqësitë e momentit). Më vjen keq për mënyrën si i kam trajtuar vajzat. Jam i shqetësuar për stabilitetin e martesës sime të ardhshme (nëse dhe kur të martohem). Por Perëndia më ka ndihmuar të kapërcej veprimet e mia të së shkuarës dhe shqetësimet për të ardhmen. Ai është duke më ndryshuar dhe më ka ndryshuar shumë që tani.

Gjithashtu, Perëndia më ka dhënë aftësinë të pres deri në martesë për të patur prapë seks. Patjetër, hera-herës ka qenë e vështirë, por Perëndia ka qenë mjaft i madh për të më ndihmuar në këto vështirësi. Me Të të gjitha gjërat janë të mundura. Dhe çdo ditë, javë, vit që kalon unë e di që do të kem një martesë më të mirë dhe më të fortë dikur sepse kam pritur. Përveç kësaj, sot kam një marrëdhënie më të fortë me Perëndinë si rezultat i mbështetjes tek Ai në këtë fushë kyçe të jetës sime si burrë.

Ku t’ia fillosh

Nëse do të jesh i sukseshëm në një marrëdhënie të ardhshme – si bashkëshort dhe baba – vendi më i mirë për të filluar është vetja jote. Marifeti nuk është në gjetjen e gruas së duhur, ose pasjen e fëmijëve të duhur. Çelësi është ta fillosh me veten. Dhe marrëdhënia më e rëndësishme që mund të kesh – ajo që do të të bëjë një bashkëshort dhe baba më të mirë — është marrëdhënia me Perëndinë.

Perëndia është autori i seksit, dashurisë dhe marrëdhënieve në përgjithësi. Ai i krijoi këto gjëra që ne të kënaqemi me to. Dhe ne mund të kënaqemi plotësisht nëse ndjekim planin e Tij për to. Kam zbuluar se Perëndia nuk është “moralizues.” Ai nuk thotë, “Bëj këtë” ose “Mos bëj këtë” kot. Kur Ai thotë, “Mos e bëj këtë” (për shembull, prit deri në martesë për të patur seks), Ai nuk po e thotë këtë thjesht për të treguar se kush urdhëron këtu. Ai po e thotë këtë për të mirën time. Ai po e thotë sepse Ai e di si më ka ndërtuar mua si burrë, çfarë është më e mira për mua, dhe çfarë do të më sjellë përmbushjen më të plotë.

Ta njohësh Perëndinë Personalisht

Bibla thotë se Jezu Krishti ishte Perëndia që u bë njeri — “Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne.” Ai ishte “vula e qenies së Tij [Perëndisë].” Shkurt, Jezu Krishti e zbuloi qartë si është Perëndia. Pra, si e fillojmë një marrëdhënie me Të?

Perëndia ka një dashuri të vërtetë për ne dhe do që ne ta njohim Atë…por ka një problem. Ajo që na pengon ta njohim Perëndinë është mëkati ynë (pamundësia për t’i dashur Perëndinë dhe të tjerët në mënyrë të përsosur).

Prandaj Jezu Krishti (“Perëndia në mish”) mori gjithë mëkatin tonë mbi supet e Tij kur me dëshirën e Tij vdiq në kryq. Ai e bëri këtë që ne të ishim tërësisht të falur, tërësisht të pranueshëm prej Tij. Ai u rrah, u poshtërua, u fshikullua dhe u kryqëzua në vendin tonë. Pastaj, pas tri ditësh, Ai u ngjall nga të vdekurit. Ai tani na kërkon neve t’i përgjigjemi sakrificës së Tij duke e ftuar Atë në jetën tonë.

Jezu Krishti është njeriu më burrëror që ka jetuar ndonjëherë. Njerëzit nuk e përmendin shpesh këtë, por është e vërtetë. Prandaj, kur e fton të vijë në jetën tënde, ti po fton Personin që di më shumë për të qenit burrë sesa çdo burrë tjetër. Ai do të të ndihmojë të bëhesh vërtet burrë – jo sipas versionit të Hollivudit — por dikush shumë më i përmbushur në jetë dhe shumë më i vlefshëm për jetët e të tjerëve.

Po si duket një burrë i tillë? Ai nuk duket si ujk (dikush që kërkon vetëm për veten e vet). Përkundrazi, ai duket më shumë si një bari — dikush që kujdeset për të mirën e të tjerëve. Duke u rritur në marrëdhënien me Krishtin, do të zbuloni më shumë dhe më shumë çfarë do të thotë të jesh një burrë i vërtetë. Dhe Krishti do të të ndryshojë mënyrën si mendon për vajzat dhe rrjedhimisht edhe mënyrën si i trajton ato.

Ti mund të fillosh një marrëdhënie me Krishtin që zgjat përgjithmonë. “Sepse Perëndia aq e deshi botën saqë dha Birin e Tij të vetëmlindurin, që kushdo që beson në Të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.” (Gjoni 3:16). Të besosh do të thotë të zësh besë. Kur ti i zë besë flijimit të Krishtit në vendin tënd, ti merr jetën e përjetshme — një marrëdhënie me Perëndinë që fillon tani, që e ke për gjithë jetën. Nëse kjo është dëshira e zemrës tënde, më poshtë jepet një model i fjalëve që mund t’i thuash Perëndisë me sinqeritet:

Perëndi i dashur, e rrëfej se kam mëkatuar ndaj Teje. Falemnderit që more mëkatin tim mbi Vete në kryq. Unë dua ta marr faljen tënde. Dua të hyj në një marrëdhënie me Ty. Eja në jetën time si Shpëtimtari dhe Zoti im. Të lutem më bëj burrin që ti do që të jem.

Për këshilla të dobishme dhe për t’u rritur në njohjen e Perëndisë, lexo pjesët Mateu, Marku, Luka, dhe Gjoni në Bibël.

 Sapo e ftova Jezusin në jetën time (këtu do të gjeni informacion të dobishëm)...
 Mbase dëshiroj ta ftoj Jezusin në jetën time, ju lutem ma shpjegoni këtë më qartë...
 Kam një pyetje...
TREGOJUA MIQVE:
WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More