Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë
Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë

Përtej besimit të verbër

Kush është Jezusi? A ishte Ai Biri i Perëndisë? Një shikim i shkurtër i jetës së Jezusit të Nazaretit, dhe pse nuk është besim i verbër të besosh në Të…

WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More PDF

nga Paul E. Little

Është e pamundur që ne ta dimë përfundimisht nëse Perëndia ekziston dhe si është Ai në rast se Ai nuk e merr iniciativën të na e zbulojë veten. Ne duhet ta dimë si është Ai dhe qëndrimin e Tij ndaj nesh. Ta zëmë se e dimë që Ai ekziston, por është si Adolf Hitleri–kapriçioz, i keq, paragjykues, dhe mizor. Çfarë zbulimi i tmerrshëm do të ishte!

Ne duhet t’i hedhim një sy gjithë horizontit të historisë për të parë nëse ka ndonjë shenjë të zbulesës së Perëndisë. Dhe ka një shenjë të qartë. Në një fshat të humbur në Palestinë, pothuaj 2,000 vjet më parë, një foshnjë lindi në një stallë. Sot e gjithë bota vazhdon të festojë lindjen e tij-të Jezusit.

Ai jetoi pa u vënë re deri në moshën tridhjetë vjeçare, dhe pastaj filloi një shërbesë publike që zgjati tre vjet. Ajo ndryshoi gjithë rrjedhën e historisë. Ai ishte njeri i mirë dhe na thuhet se “njerëzit e zakonshëm e dëgjonin me ëndje.” Dhe, “Ai mësonte si një që ka autoritet, dhe jo si skribët (mësuesit e Ligjit)” (Mateu 7:29).

Kush është Jezusi? Historia e Tij fillon

Megjithatë, shpejt u duk qartë që Ai po bënte deklarata tronditëse dhe befasuese për veten. Ai filloi ta identifikonte veten si diçka shumë më tepër se një mësues i shquar apo profet. Ai filloi të thoshte qartë se ishte Perëndia. Ai e bëri identitetin e Tij pikën qëndrore të mësimit të Tij. Pyetja kryesore që u bëri ndjekësve të Tij ishte, “Kush thoni se jam unë?” Kur Pjetri iu përgjigj dhe tha, “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë” (Mateu 16:15-16), Jezusi nuk u trondit, as nuk e qortoi Pjetrin. Përkundrazi, e përgëzoi!

Ai e bëri këtë shpallje qartë, dhe dëgjuesit e Tij i kuptuan mirë fjalët e Tij. Na thuhet, “Për këtë Judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vrisnin; jo vetëm se shkelte të shtunën, por edhe se thoshte se Perëndia ishte Ati i vet, duke e barazuar veten me Perëndinë” (Gjoni 5:18).

Në një rast tjetër Ai tha, “Unë dhe Ati jemi një.” Menjëherë Judenjtë deshën ta vrisnin me gurë. Ai i pyeti për cilën vepër të mirë deshën ta vrisnin. Ata u përgjigjën , “Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri e bën veten Perëndi” (Gjoni 10:33).

Jezusi shpalli hapur për veten atribute që i ka vetëm Perëndia. Kur një i paralizuar iu soll përpara nga çatia për t’u shëruar prej Tij, Ai tha, “Bir, mëkatet e tua të janë falur.” Kjo shkaktoi shumë trazim midis udhëheqësve fetarë, të cilët thanë në zemrat e tyre, “Pse flet kështu ky njeri? Ai po blasfemon! Kush mund t’i falë mëkatet përveç Perëndisë vetëm?”

Në momentin kritik kur vetë jeta e Tij ishte në rrezik, kryeprifti e pyeti drejtpërdrejt: “A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?”

“Unë jam,” tha Jezusi. “Dhe ju do ta shihni Birin e Njeriut të ulur në të djathtën e pushtetit dhe duke ardhur me retë e qiellit.”

Atëherë kryeprifti, duke i shqyer rrobat tha, “Ç’nevojë kemi më për dëshmitarë? Ju e dëgjuat blasfeminë” (Marku 14:61-64).

Aq e afërt ishte lidhja e Tij me Perëndinë saqë Ai e barazonte qëndrimin e një personi ndaj Tij me qëndrimin e personit ndaj Perëndisë. Kështu, të njihje Atë ishte të njihje Perëndinë (Gjoni 8:19; 14:7). Të shikoje Atë ishte të shikoje Perëndinë (12:45; 14:9). Të besoje në Të ishte të besoje në Perëndinë (12:44; 14:1). Të pranoje Atë ishte të pranoje Perëndinë (Marku 9:37). Të urreje Atë ishte të urreje Perëndinë (Gjoni 15:23). Dhe të nderoje Atë ishte të nderoje Perëndinë (5:23).

Kush është Jezusi – Biri i Perëndisë?

Ndërkohë që shqyrtojmë shpalljet e Krishtit për veten, ka vetëm katër mundësi. Ai ishte ose gënjeshtar, ose i çmendur, legjendë ose e Vërteta. Nëse themi se Ai nuk është e Vërteta, ne automatikisht pohojmë njërën nga tre alternativat e tjera, dashje pa dashje.

Ndërkohë që shqyrtojmë shpalljet e Krishtit për veten, ka vetëm katër mundësi. Ai ishte ose gënjeshtar, ose i çmendur, legjendë ose e Vërteta.

(1) Një mundësi është që Jezusi gënjeu kur tha se Ai ishte Perëndi–që Ai e dinte se nuk ishte Perëndi, por me dashje i mashtroi dëgjuesit e Tij për t’iu dhënë autoritet mësimeve të Tij. Fare pak vetë, nëse ende ka, i përmbahen kësaj teze. Edhe ata që e mohojnë natyrën e Tij hyjnore pohojnë që Ai ishte një mësues i madh morali. Ata nuk arrijnë të kuptojnë se këto dy deklarata janë kontradiktore. Jezusi nuk mund të ishte një mësues i madh morali nëse, në pikën më kyçe të mësimit të Tij–që ishte Identiteti i Tij–Ai ishte gënjeshtar.

(2) Një mundësi më e mirë, megjithëse po aq e çuditshme, është që Ai ishte i sinqertë, por i vetë-gënjyer. Ne kemi një emër në ditët e sotme për atë person që mendon se është Perëndi. Ai emër është lunatik (i çmendur), dhe patjetër do të ishte i përshtatshëm edhe për Krishtin nëse Ai ishte i gënjyer në këtë çështje kaq të rëndësishme. Por, kur shikojmë jetën e Krishtit, ne nuk gjejmë asnjë provë të anormalitetit dhe mungesës së ekuilibrit mendor që gjejmë tek një i çmendur. Përkundrazi, ajo që shohim është qetësia e skajshme përballë presionit.

(3) Alternativa e tretë është që gjithë ato që thuhen për pretendimet e Tij se ishte Perëndia janë të sajuara, legjendë–që ajo që ndodhi në të vërtetë ishte që ndjekësit e Tij entuziastë, në shekujt e tretë dhe të katërt, vunë fjalë në gojën e Tij që Ai do të ishte shokuar po t’i dëgjonte. Sikur të kthehej, Ai menjëherë do t’i përgënjeshtronte ato.

Teoria e legjendës është hedhur poshtë nga shumë zbulime të arkeologjisë moderne. Këto kanë treguar përfundimisht që të katër biografitë e Krishtit u shkruan gjatë jetës së bashkëkohësve të Tij. Disa kohë më parë Dr. William F. Albright, arkeologu me famë botërore, që tani është në pension nga universiteti Johns Hopkins, tha që nuk kishte arsye për të besuar se ndonjë nga ungjijtë u shkrua më vonë se viti 70 pas Krishtit. Që thjesht një legjendë për Krishtin, në formën e ungjijve, të kishte pasur përhapjen dhe ndikimin që pati, dhe pa patur asnjë fije të vërtete, do të ishte e pabesueshme.

Që të kishte ndodhur kjo do të ishte njëlloj sikur dikush të shkruante një biografi të të ndjerit John F.Kennedy dhe në të të thoshte se Ai shpalli se ishte Perëndia, se fali mëkatet e njerëzve, dhe se u ngjall së vdekuri. Një histori e tillë është aq e pabesueshme saqë kurrë nuk do të përhapej sepse shumë njerëz që e kanë njohur Kennedy-n jetojnë ende. Teoria e legjendës nuk do të pinte ujë në dritën e datës aq të hershme të dorëshkrimeve të ungjijve.

(4) Alternativa e vetme që mbetet është që Jezusi tha të vërtetën. Megjithatë, nga një anë, pretendimet nuk peshojnë shumë. Fjalët nuk kushtojnë. Kushdo mund të pretendojë gjëra të ndryshme. Ka pasur edhe të tjerë që kanë pretenduar se ishin Perëndi. Edhe unë mund ta pretendoja një gjë të tillë, edhe ti mund të pretendoje se ishe Perëndi, por pyetja së cilës ne të gjithë duhet t’i japim një përgjigjie është, “Me çfarë e mbështesim ne këtë thënie?” Në rastin tim nuk do të duheshin më shumë se pesë minuta për të ma hedhur poshtë pretendimin. Ndoshta edhe për tuajin nuk do të duhej shumë më tepër kohë. Por kur vjen puna tek Jezusi i Nazaretit, nuk është kaq e thjeshtë. Ai kishte me se ta mbështeste thënien e Tij. Ai tha, “Edhe po të mos më besoni mua, u besoni të paktën veprave, që të njihni e të besoni se Ati është në mua, dhe unë në Të” (Gjoni 10:38).

Fakte nga jeta e Jezusit

Së pari, karakteri i Tij moral përputhej me shpalljet e Tij për veten. Shumë banorë të reparteve psikiatrike pretendojnë se janë njerëz të shquar ose perëndi. Por fjalët e tyre bien poshtë nga karakteri i tyre. Nuk ndodh kështu me Krishtin. Ai është unik–po aq sa edhe Perëndia.

Jezu Krishti ishte pa mëkat. Cilësia e jetës së Tij ishte e tillë saqë Ai ishte në gjendje t’i sfidonte armiqtë e Tij me pyetjen, “Cili nga ju më bind për mëkat?” (Gjoni 8:46). Ai nuk mori përgjigjie, megjithëse iu drejtua atyre që do të kishin dashur shumë t’i vinin në dukje ndonjë të metë në karakterin e Tij.

Ne lexojmë për tundimet e Jezusit, por kurrë nuk lexojmë për ndonjë rrëfim nga ana e Tij. Ai kurrë nuk kërkoi falje për veten, megjithëse ndjekësve të Tij iu mësoi të vepronin ashtu.

Kjo mungesë e plotë e ndonjë dështimi moral nga ana e Jezusit është e mahnitshme në dritën e faktit që është krejt në kundërshtim me eksperiencat e shenjtorëve dhe mistikëve të të gjitha kohërave. Sa më afër Perëndisë të jenë njerëzit, aq më të vetëdijshëm dhe të turpëruar janë ata për të metat, prishjen dhe pamundësitë që janë në ta. Sa më afër dritës të jesh, aq më i vetëdijshëm bëhesh për nevojën për t’u larë. Kjo është e vërtetë edhe në fushën morale, për vdekatarët e zakonshëm.

Është gjithashtu e habitshme që Gjoni, Pali, dhe Pjetri, që të tre të mësuar që në fëmijërinë e hershme se të gjithë njerëzit janë në mëkat, folën për pamëkatshmërinë e Krishtit: “Ai nuk bëri asnjë mëkat, dhe nuk u gjet asnjë mashtrim në gojë të Tij” (1 Pjetri 2:22).

Pilati, që nuk ishte mik i Jezusit, tha, “Ç’të keqe ka bërë?” Ai heshturazi e njohu pafajësinë e Krishtit. Dhe centurioni romak që ishte dëshmitar i vdekjes së Krishtit tha, “Me siguri Ai ishte Biri i Perëndisë” (Mateu. 27:54).

Së dyti, Krishti demonstroi pushtet mbi forcat e natyrës gjë e cila i përket vetëm Perëndisë, Autorit të këtyre forcave.

Ai qetësoi një stuhi me erë të fortë e dallgë të mëdha në Detin e Galilesë. Duke bërë këtë Ai shkaktoi tek ata që ishin në barkë pyetjen e mbushur me habi, “Vallë kush është ky që po i binden edhe era, edhe deti?” (Marku 4:41) Ai ktheu ujin në verë, ushqeu 5,000 njerëz me pesë bukë dhe dy peshq, i ktheu një të veje birin e vetëm duke ia ringjallur nga të vdekurit, dhe solli në jetë bijën e vdekur të një babai shumë të trishtuar. Një miku të Tij të vjetër Ai i tha, “Lazar, eja jashtë!” dhe në mënyrë dramatike e ringjalli nga të vdekurit. Është shumë domethënëse që armiqtë e Tij nuk e mohuan këtë mrekulli. Përkundrazi, ata u përpoqën ta vrisnin. “Po ta lëmë të vazhdojë kështu,” thanë ata, “të gjithë do të besojnë në Të” (Gjoni11:48).

Së treti, Jezusi demonstroi fuqinë e Krijuesit mbi sëmundjen dhe gjymtimin. Ai i bëri të çalët të ecnin, memecët të flisnin, dhe të verbërit të shikonin. Disa nga problemet që Ai shëroi ishin të lindura dhe jo të kurueshme në mënyrë psikosomatike. Rasti më i famshëm është ai i të verbërit të lindur që jepet tek Gjoni 9. Megjithëse ky njeri nuk ishte në gjendje t’iu përgjigjej pyetësve të tij tendenciozë, ndodhia e tij mjaftonte për ta bindur. “Di një gjë. Isha i verbër por tani shoh!” tha ai. Ai ishte i habitur që miqtë e tij nuk e njohën këtë shërues si Birin e Perëndisë. “Që prej fillimit të botës nuk është dëgjuar që dikush t’ia ketë hapur sytë një të linduri të verbër,” tha ai (Gjoni 9:25, 32). Për të ky fakt fliste qartë.

Së katërti, prova më e madhe që Jezusi ka për të vërtetuar shpalljen e Tij se ishte Perëndi është ringjallja e Tij nga të vdekurit. Pesë herë gjatë jetës së Tij Ai e parashikoi se do të vdiste. Ai gjithashtu e parashikoi se tri ditë më vonë do të ngjallej nga të vdekurit dhe do t’iu shfaqej dishepujve të Tij.

Padyshim që kjo ishte prova e madhe. Kjo ishte diçka që mund të verifikohej lehtë. Ajo ose ndodhi, ose nuk ndodhi.

Edhe miqtë, edhe armiqtë e besimit të krishterë e kanë kuptuar se ringjallja e Krishtit është guri i themelit i besimit. Pali, apostulli i madh, shkroi, “Nëse Krishti nuk është ringjallur, predikimi ynë është i kotë, dhe i kotë është edhe besimi juaj” (1 Korintasve 15:14). Pali e mbështeti gjithë tezën e tij në ringjalljen trupore të Krishti. Ai ose u ngjall, ose nuk u ngjall nga të vdekurit. Nëse u ngjall, kjo ka qenë ngjarja më sensacionale në histori.

Nëse Jezusi është Biri i Perëndisë…

Nëse Krishti u ngjall, ne e dimë me siguri që Perëndia ekziston, si është Ai, dhe si mund ta njohim Atë personalisht. Gjithësia merr kuptim dhe qëllim, dhe është e mundur të përjetojmë Perëndinë e gjallë në ditët e sotme.

Fjalët nuk kushtojnë. Kushdo mund të pretendojë gjëra të ndryshme. Por kur vjen puna tek Jezusi i Nazaretit, nuk është kaq e thjeshtë. Ai kishte me se ta mbështeste thënien e Tij.

Nga ana tjetër, nëse Krishti nuk u ngjall nga të vdekurit, krishtërimi është vetëm një relike për në muze dhe asgjë tjetër. Nuk ka vlerë objektive. Megjithëse është një mendim i bukur, nuk ka kuptim të entuziazmohesh aq shumë për të. Martirët që shkuan duke kënduar në gropën e luanëve, dhe misionarët e sotëm që kanë dhënë jetën në Ekuador dhe Kongo duke iua çuar këtë mesazh të tjerëve, kanë qenë budallenj të shkretë të gënjyer.

Sulmi mbi krishtërimin nga armiqtë e tij është përqendruar më shpesh mbi ringjalljen sepse është parë qartë që kjo ngjarje është pika kyçe e çështjes. Një sulm mjaft i madh ishte ai i planifikuar në fillim të viteve ’30 nga një jurist i ri anglez. Ai ishte i bindur që ringjallja ishte thjesht përrallë dhe fantazi. Duke e nuhatur se ky ishte guri i themelit i besimit të krishterë, ai vendosi t’i bënte botës një nder duke e demaskuar një herë e përgjithmonë këtë mashtrim dhe bestytni. Si jurist, ai ishte i bindur se i zotëronte aftësitë e domosdoshme për të shoshitur në mënyrë strikte çdo provë dhe për të mos pranuar si provë asgjë që nuk i plotësonte kriteret e ngushta të pranimit të tyre në sallat e gjyqit në ditët e sotme.

Megjithatë, ndërsa Frank Morrison-i po bënte kërkime, ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Ky rast nuk ishte aq i lehtë sa i ishte dukur në fillim. Si rezultat, kapitulli i parë në librin e tij, Kush e lëvizi gurin? titullohet, “Libri që refuzoi të shkruhej.” Në të përshkruhet se si, ndërsa shqyrtonte provat, ai u bind, kundër vullnetit të tij, për vërtetësinë e ringjalljes trupore të Krishtit.

Historia e vdekjes së Jezusit

Vdekja e Jezusit u bë me anë të ekzekutimit publik në kryq. Pushtetarët thanë se ishte për blasfemi. Jezusi tha se ishte për të paguar për mëkatet tona. Pasi e torturuan në mënyrë çnjerëzore, ia mbërthyen kyçet e duarve dhe këmbët në një kryq ku ai qëndroi i varur derisa vdiq më në fund nga mbytja e ngadaltë. Në brinjën e tij ushtarët futën një heshtë për të konfirmuar vdekjen.

Trupi i Jezusi u mbështoll pastaj me pëlhura të mbuluara me rreth 50 kg aroma në formë të lëngshme dhe ngjitëse dhe u vendos në një varr të gdhendur në shkëmb. Hyrja u sigurua me një gur 1 1/2- 2 ton që u rrokullis me leva. Për shkak se Jezusi kishte shpallur publikisht se do të ringjallej nga të vdekurit pas tri ditësh, te varri u vendos një skuadër ushtarësh të stërvitur romakë dhe hyrja e varrit u vulos duke e deklaruar atë pronë qeveritare.

Me gjithë këto, tri ditë më vonë trupi nuk ishte atje. Ishin vetëm pëlhurat në formën e trupit, por të zbrazura. Guri që më parë mbyllte varrin u gjend në një vend më të lartë, pak larg nga varri.

A ishte ringjallja e Jezusit thjesht një histori?

Shpjegimi më i hershëm që qarkulloi ishte që dishepujt e vodhën trupin! Tek Mateu 28:11-15, ne kemi të shënuar reagimin e krerëve të priftërinjve dhe pleqve kur rojat iu dhanë lajmin misterioz dhe që i tërboi se trupi nuk ishte më atje. Ata iu dhanë ushtarëve para dhe iu thanë atyre që të thoshin se dishepujt kishin ardhur natën dhe e kishin vjedhur trupin ndërsa ata po flinin. Kjo histori ishte aq e sajuar saqë Mateu s’mori as mundimin ta hidhte poshtë! Cili gjykatës në botë do të të besonte po të thoshe se kur ishe në gjumë ti e pe se fqinji yt hyri dhe të vodhi televizorin? Kush e di se ç’bëhet përreth kur është në gjumë? Dëshmi si kjo do të priteshin me të qeshura në çdo sallë gjyqi.

Për më tepër, këtu kemi edhe një pamundësi psikologjike dhe etike. Vjedhja e trupit të Krishtit është diçka krejt e huaj për karakterin e dishepujve dhe për atë që dimë për ta. Kjo do të thoshte që ata ishin përhapësit e një gënjeshtre të qëllimshme që ishte përgjegjëse për mashtrimin dhe vdekjen e mijëra vetëve. Është e pakonceptueshme që, edhe nëse disa nga dishepujt e kishin organizuar dhe kryer këtë vjedhje të mos u kishin treguar kurrë të tjerëve.

Secili nga dishepujt u përball me tortura dhe martirizim për shpalljet dhe besimin e tij. Njerëzit vdesin për diçka që besojnë se është e vërtetë, megjithëse ajo mund të jetë e rreme. Por njerëzit kurrë nuk vdesin për diçka që e dinë se është gënjeshtër. Nëse ka ndonjë vend ku njeriu tregon të vërtetën, ky është shtrati i vdekjes. Dhe nëse dishepujt e kishin vjedhur trupin, dhe Krishti ishte ende i vdekur, ne ende do ta kishim problemin e shpjegimit të shfaqjeve të Tij pas ringjalljes.

Një hipotezë e dytë është që autoritetet, Judeje ose Romake, e hoqën trupin që aty! Por pse? Duke qenë se kishin vënë roje te varri, cila do të ishte arsyeja për ta lëvizur trupin që aty? Gjithashtu, çfarë mund të thuhet për heshtjen e autoriteteve përballë predikimit të guximshëm të apostujve në lidhje me ringjalljen në Jerusalem? Udhëheqësit fetarë po zienin nga zemërimi, dhe bënë ç’ishte e mundur ta ndalonin përhapjen e mesazhit që Jezusi u ngjall nga të vdekurit. Ata i arrestuan Pjetrin dhe Gjonin dhe i rrahën e i kërcënuan për t’iu mbyllur gojën.

Por kishte një zgjidhje shumë të thjeshtë për problemin e tyre. Nëse do ta kishin trupin e Krishtit, ata mund ta kishin nxjerrë në rrugët e Jerusalemit. Me një lëvizje ata do ta kishin mbytur krishtërimin që në djep. Fakti që ata nuk e bënë këtë dëshmon qartë se ata nuk e kishin trupin.

Një teori tjetër e preferuar është që gratë, të shpërqendruara nga hidhërimi, ngatërruan rrugën në gjysmerrësirën e mëngjesit dhe shkuan tek një varr tjetër. Nga hidhërimi ato menduan se Krishti ishte ringjallur sepse varri ishte bosh. Megjithatë, kjo teori, rrëzohet para të njëjtit fakt që rrëzoi edhe të parën. Nëse gratë shkuan tek varri i gabuar, pse krerët e priftërinjve dhe armiqtë e tjerë të besimit nuk shkuan tek varri i duhur të nxirrnin trupin? Për më tepër, është e paimagjinueshme që Pjetri dhe Gjoni të bënin të njëjtin gabim, dhe patjetër Jozefi i Arimatesë, pronari i varrit, do ta kishte zgjidhur këtë problem. Përveç kësaj, duhet të kujtojmë se ky ishte një vend privat varrimi, jo një varrezë publike. Nuk kishte varr tjetër afër që të mund t’i ngatërronte.

Teoria e alivanosjes është një teori tjetër në përpjekje për të shpjeguar varrin bosh. Sipas kësaj teorie, Krishti nuk vdiq me të vërtetë. Ai u raportua gabimisht si i vdekur, por vetëm i kishte rënë të fikët nga lodhja e madhe, dhimbja dhe humbja e gjakut. Kur e vendosën në freskinë e varrit, Ai u përmend. Ai doli nga varri dhe iu shfaq dishepujve të Tij, të cilët gabimisht menduan se ishte ngjallur nga të vdekurit.

Njerëzit vdesin për diçka që besojnë se është e vërtetë, megjithëse ajo mund të jetë e rreme. Por njerëzit kurrë nuk vdesin për diçka që e dinë se është gënjeshtër.

Kjo është një teori e kohëve moderne. Për herë të parë doli në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë. Është domethënëse që asnjë sugjerim i tillë nuk ka ardhur nga lashtësia me gjithë sulmet e ashpra që janë bërë kundër krishtërimit. Të gjitha dokumentet e hershme e theksojnë qartë vdekjen e Jezusit.

Por le të supozojmë për një moment që Krishti u varros i gjallë, thjesht në gjendje të fikëti. A mund të besojmë se Ai mbijetoi në një varr të lagësht pa ushqim dhe pa ujë dhe pa çfarëdolloj kujdesi? A do të kishte patur fuqinë e duhur të çlirohej nga rrobat e varrimit, të largonte gurin e rëndë nga hyrja e varrit, t’iu ikte rojeve romake dhe të ecte për milje të tëra me këmbët e shpuara me gozhdë? Kjo histori është më e vështirë të besohet sesa vetë ringjallja.

Edhe kritiku gjerman David Strauss, në asnjë mënyrë nuk e beson ringjalljen, e hodhi poshtë këtë ide si të pabesueshme. Ai tha:

Është e pamundur që dikush që sapo kishte dalë nga varri gjysmë i vdekur, që zvarritej në gjendje të mjerueshme, që kishte nevojë për ndihmë mjekësore, për t’iu lidhur plagët, për inkurajim dhe përkujdesje, dhe që vuante, të mund t’iu kishte lënë dishepujve përshtypjen që Ai ishte fitimtar mbi vdekjen dhe varrin; që Ai ishte Princi i Jetës.

Së fundi, nëse kjo teori qëndron, Krishti Vetë do të dilte gënjeshtar. Dishepujt e Tij besuan dhe predikuan që Ai ishte i vdekur por u ringjall. Jezusi nuk bëri asgjë për ta hedhur poshtë këtë besim, përkundrazi, e inkurajoi.

E vetmja teori që e shpjegon në mënyrë të kënaqshme varrin bosh është ringjallja e Jezu Krishtit nga të vdekurit.

Çfarë kuptimi ka për ju ringjallja e Jezusit

Nëse Jezus Krishti u ngjall nga të vdekurit, duke provuar që Ai është Perëndia, Ai është i gjallë sot. Ai është i gatshëm jo thjesht të adhurohet . Ai është i gatshëm që të njihet dhe të vijë në jetën tonë. Jezusi tha, “Ja, unë qëndroj tek dera [e zemrës tënde] dhe trokas; nëse ndokush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, unë do të hyj tek ai” (Zbulesa 3:20).

Carl Gustav Jung tha, “Neuroza qëndrore e kohës sonë është zbrazëtia.” Të gjithë ne kemi një dëshirë të madhe që jetët tona të kenë kuptim dhe thellësi. Jezusi na ofron një jetë më me kuptim dhe bollëk, e cila vjen nga një marrëdhënie me Të. Jezusi tha, “Unë erdha që ata të kenë jetë, dhe ta kenë atë me bollëk” (Gjoni 10:10).

Për shkak se Jezusi vdiq në kryq, duke marrë mbi vete gjithë mëkatin e njerëzimit, Ai tani na ofron falje, pranim dhe një marrëdhënie të mirëfilltë me Të.

Që tani ti mund ta ftosh Jezu Krishtin në jetën tënde. Ti mund t’i thuash Atij diçka të tillë, “Jezus, falemnderit që vdiqe në kryq for mëkatet e mia. Të lutem më fal dhe eja në jetën time që tani. Falemnderit që më ke dhënë një marrëdhënie me Ty.”

Nëse keni nevojë për më shumë informacion ose keni ende pyetje në lidhje me kush është Jezusi, ju lutemi na shkruani përmes email-it.

 Sapo e ftova Jezusin në jetën time (këtu do të gjeni informacion të dobishëm)...
 Mbase dëshiroj ta ftoj Jezusin në jetën time, ju lutem ma shpjegoni këtë më qartë...
 Kam një pyetje...

Përshtatur nga Know Why You Believe nga Paul E. Little, botuar nga Victor Books, copyright (c) 1988, SP Publications, Inc., Wheaton, IL 60187. Përdorur me leje.

TREGOJUA MIQVE:
WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More