nga Mark Hansard
Një ditë, jo shumë kohë më parë, po bisedoja me një student në lidhje me krishtërimin. Ai ishte i zgjuar, inteligjent dhe dukej i përgatitur mirë në shkencë dhe filozofi.
“Krishtërimi është i mirë për TY,” tha ai, “por jo për MUA. Unë mendoj se njeriu duhet të besojë atë gjë që e bën të lumtur dhe i jep paqe.”
“Mbase mund të kesh të drejtë,” i thashë. “Nuk dua të të imponoj mendimet e mia. Më lejo të hedh disa ide dhe shiko ç’mendon për to. Ka dy lloje të vërtetash,” i thashë. “Një është opinioni, apo preferenca, si psh, ‘më pëlqen akullorja me çokollatë’. Disa njerëz pëlqejnë çokollatën, disa vaniljen. Disa studiojnë për ekonomi, disa për gjuhë të huaja.
“Pastaj është një lloj tjetër e vërtete, si e vërteta shkencore. Për shembull, graviteti vepron e beson ti apo jo. Mollët binin në tokë edhe përpara se të zbulohej forca e gravitetit, apo jo?”
“Po,” tha ai.
“Tani, shumica e njerëzve mendojnë se feja është në rangun e OPINIONIT,” vazhdova unë. “Si puna e akullores së preferuar. Por Bibla të lë të kuptosh se e vërteta shpirtërore është më shumë si LIGJI I GRAVITETIT. Ajo është e vërtetë e beson ti apo jo.
“Tani, është apo s’është Bibla e vërtetë, është çështje tjetër,” i thashë. “Por ideja është kjo:Bibla thotë se mëkatet tona na kanë ndarë nga Perëndia, dhe e vetmja mënyrë për ta zgjidhur atë problem është nëpërmjet Jezu Krishtit.
“Ti mund të besosh çfarë të duash,” i thashë. “Unë nuk dua të të detyroj të besosh atë që besoj unë…Por, nëse ti e ke mirë dhe unë e kam gabim, unë s’humbas gjë. Kur të vdes thjesht do të kthehem në pluhur. Po nëse unë kam të drejtë dhe ti e ke gabim, ti mund të kalosh përjetësinë larg nga Perëndia. A nuk ia vlen të paktën ta shikosh si mundësi?”
Dukej që kjo e bëri të mendohej.
Shumica e njerëzve e urrejnë idenë që krishtërimi është rruga e vetme për në Qiell. Dhe nuk u vë faj. Tingëllon arrogante. Dakord, disa të krishterë JANË arrogantë, por në shumicën e rasteve kjo ndjenjë vjen nga një keqkuptim. Kur Jezusi tha, “Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta,” Ai nuk po mburrej duke thënë, “Unë jam më i miri, dhe në parajsë do të lë vetëm ata që ndjekin rrugën time.”
Jo, kjo thënie është njësoj sikur të thuash, “Ka vetëm një mënyrë për të kapërcyer Kanionin e Madh. Nuk mund ta kapërcesh me kërcim, nuk mund ta kalosh më këmbë, as me makinë. Të duhet një helikopter.” Natyra e problemit është e tillë që ka vetëm një zgjidhje.
Mëkati na e bën të pamundur të arrijmë Perëndinë. Nëse përpiqemi të bëhemi të pranueshëm prej Tij me anë të jetës sonë “të mirë”, s’kemi gjë në vijë. Nëse përpiqemi të bëhemi fetarë për të arritur Perëndinë, prapë s’kemi gjë. Por Perëndia mund të vijë tek ne. Jezu Krishti erdhi që ne të kemi falje dhe një marrëdhënie me Të. Ne mund të vazhdojmë me vepra të mira dhe përpjekje fetare, por Jezusi tha që kjo do të ishte e kotë.
Jezusi tha, “Askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje,” dhe po ashtu, “Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë.” Tani, po të kishte njerëz të tjerë që ishin Perëndi, ndoshta mund të kishte edhe rrugë të tjera për në Qiell! Por Jezusi është i vetmi person, me sa di unë, që e plotëson këtë kusht!
► | Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë |
► | Kam një pyetje... |