Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë
Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë

Jeta e vërtetë

Tre njerëz tregojnë se ata e gjetën përmbushjen, pranimin dhe qëllimin në jetën e vërtetë.

WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More PDF

Autorë të Ndryshëm

A keni ndjerë ndonjëherë se duhet të ketë diçka më shumë në jetë? Diçka më shumë sesa thjesht të ekzistosh? Më poshtë jepen disa rrëfime të drejtpërdrejta të cilat ofrojnë mendime për jetën e vërtetë dhe rolin e Perëndisë në të.

Përmbushja në jetën e vërtetë
(nga Xhon Gei)

Ndoshta keni dëgjuar për njeriun qëllimi i të cilit në jetë ishte t’i ngjitej një mali. Kur më në fund e arriti majën, ishte tmerrësisht i zhgënjyer. Nuk kishte vend tjetër ku të shkonte, dhe diçka ende i mungonte. Është si puna e futbollistit i cili pasi fiton Kupën e Botës, është i dëshpëruar.

Përvoja ime studentore ishte mjaft e ngjashme me këtë. Nga viti i fundit, kisha arritur gjithçka që njerëzit më kishin thënë se do të më bënte të kënaqur–pjesëtar në shoqatat dhe organizatat studentore, mbrëmjet argëtuese, notat e mira dhe shoqëria me vajza të cilat vërtet më tërhiqnin.

Çdo gjë që doja të arrija ndërsa isha në universitet e arrita. Dhe megjithatë, kur arrita “majën e malit”, ishta ende i pakënaqur. Diçka mungonte ende dhe nuk kisha vend tjetër ku të shkoja.

Sigurisht, asnjë nuk e dinte se ndihesha kështu –nga jashtë nuk e tregoja. Për ironi, ndjeja se shumë nga djemtë e godinës më shikonin me zili. Ndoshta dëshironin që jetët e tyre të ishin më shumë si e imja. Ata nuk e dinin se sa i pakënaqur ndihesha.

Gjithësesi, ekzistonte një grup tjetër djemsh në godinën tonë. Unë i quaja “peshkopët e Biblës”. Edhe pse isha tallur me ta dhe gjithnjë kërkoja arsye që t’i dënoja, kishte diçka tek ta të cilën nuk e kapërdija kollaj…atyre dukej se nuk u mungonte asgjë. Dukej se ata e kishin atë përmbushje të vërtetë që mua më mungonte. Ata dukej se e dinin kuptimin e jetës.

Verën pas vitit tim të fundit shkollor, dikush më ftoi në një studim Bible në kishë. As vetë s’e di pse shkova. Mendoj se ndihesha më i hapur ndaj gjërave shpirtërore se zakonisht. Kur drejtuesi i grupit filloi të mësonte nga Bibla, u shtanga krejt. “I ka rënë pikës.” Mbeta i habitur kur pashë se sa e vërtetë ishte Bibla dhe sa drejtpërdrejt lidhej me jetën time.

Ishte sikur Perëndia po trokiste në derën e zemrës sime…por ende nuk doja ta lija të hynte. Mendoja vazhdimisht se si jeta ime do të ndryshonte dhe se si miqtë e mi do të mendonin se nuk isha në rregull. Kisha frikë. Por, sa më shumë mendoja për Të, aq më shumë Perëndia më ndihmonte të kuptoja se fillimi i një marrëdhënieje me të ishte gjëja e duhur. Kështu që i thashë se sinqerisht doja që Ai të vinte në jetën time.

Çfarë ndodhi më pas është vështirë të përshkruhet. Mund ta shpreh vetëm kështu: “Takova” Perëndinë. Dhe kur e takova Atë zbulova përmbushjen e vërtetë. Ndjeva një plotësi të cilën nuk e kisha përjetuar më parë, sikur një pjesë e zbrazët e imja thellë-thellë në shpirtin tim ishte mbushur–një plotësi që ka qenë pjesë e jetës sime që nga ajo ditë.

Zbulova ishte se përjetimi im nuk ishte unik. Është ajo që Jezu Krishti ofron të bëjë në jetën e gjithësecilit. Ai tha (dhe ende thotë): “Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë, nuk do të ketë kurrë uri dhe kush beson tek unë, nuk do të ketë kurrë etje.”1 Jezusi na ofron një marrëdhënie me veten e tij.

Jeta ende ka uljet dhe ngritjet e veta, zhgënjimet dhe mundimet e veta. Por ajo që i jep kuptim jetës sime dhe e bën atë kaq të kënaqshme është përmbushja e vërtetë që kam përjetuar në njohjen e Jezu Krishtit.

Pranimi në jetën e vërtetë
(nga Robert Katalani)

Gjatë fëmijërisë sime, çdo sezon kishte shfaqjen e tij televizive– “Charlie Brown” gjatë Halloween-it, “The Grinch” gjatë Krishtlindjes. Megjithatë, një program ishte kaq i madh sa nuk kishte nevojë për ndonjë ditë feste–ishte një ngjarje e njohur. Sigurisht që po flas për “Magjistari i Ozit”.

Ndoshta e mbani mend historinë. Dorotea largohet nga Kanzasi dhe zbarkon në Oz, ku vret shtrigën e keqe dhe si rrjedhim bëhet në çast një figurë e njohur. I gjithë ky homazh dhe vullnet i mirë nga banorët e Ozit nuk ia plotëson gjithësesi nevojën e saj kryesore: dëshirën për të qenë në shtëpi. Por për fat të mirë, edhe kjo dëshirë mund të realizohet në këtë vend ëndrrash. Gjithçka për të cilën ka nevojë Dorotea është një udhëtim për të parë Magjistarin…të mrekullueshmin “Magjistar të Ozit”. Kështu, sa hap e mbyll sytë, ajo është në një udhëtim me tre miq të rinj në qytet, plot shpresa të gëzueshme për takimin me këtë figurë të madhërishme.

A e mbani mend se çfarë ndodh më pas? Në vend të një magjistari të sjellshëm dhe të kujdesshëm, Dorotea dhe miqtë e saj përshëndeten nga një magjistar i inatosur, nevrik, i cili është i interesuar vetëm për t’i hequr qafe. Pasi paraqesin kërkesat e tyre, ai thotë: “Para se të plotësoj dëshirat tuaja, së pari duhet ta provoni veten të denjë.” Më pas u ngarkon një detyrë të vogël për të provuar veten: të gjenin fshesën e shtrigës së keqe (shtriga e keqe e cila është motra e shtrigës që tashmë Dorotea kishte vrarë).

Kaq kërkohej nga Magjistari i mrekullueshëm i Ozit.

Për habinë e madhe të Magjistarit, ata kthehen me fshesën. Duke mos i bërë përshtypje, Magjistari vazhdon përpjekjet për t’i hequr qafe. Por ndërsa apelojnë për çështjen e tyre, ndodh diçka shumë interesante. Toto (qeni i Doroteas), duke nuhatur diçka të çuditshme në tymin e Magjistarit të inatosur, gjen një perde në cep të dhomës. Toto e hap perden dhe zbulon një plak të mirë i cili nuk është fare si Magjistari.

Gjatë fëmijësisë sime imazhi që kisha për Perëndinë ngjante shumë me Magjistarin e Ozit. Mendoja se ishte i ulët dhe nevrik dhe se në fakt dinte shumë pak për mua. Imazhet e pakta që shikoja për Të në kishë kur isha fëmijë e bënin Atë të dukej i largët, i një bote tjetër, i paarritshëm. Vdekjen e Tij në kryq–një imazh i vazhdueshëm–e kuptoja si një sakrificë të madhe, por që dukej se e kishte bërë pa dëshirë. Ajo që kishte rëndësi për Të, mendoja, ishte sa mirë sillesha dhe sa i përmbushja standardet e Tij. Nëse do të pranohesha ndonjëherë nga Ai, duhet ta provoja në fillim veten si të denjë. Siç mund ta imagjinoni, Perëndia nuk ishte një figurë e mrekullueshme në jetën time. I mrekullueshëm nuk ishte fjala që do të zgjidhja për të përshkruar Atë.

Më pas, në vitin e parë të shkollës së lartë, e gjithë kjo ndryshoi. Perdja u hoq. Për herë të parë në jetën time, dikush më tregoi në Bibël–një libër të cilin e kisha menduar gjithnjë plot tym–se cili ishte në të vërtetë Perëndia. Ai nuk ishte i inatosur apo i ulët–krejt e kundërta. Ai ishte i dashur dhe dhembshur. Ai e dinte që unë nuk isha i aftë të jetoja një jetë të përsosur dhe të zbatoja standardet e Tij. Kështu, nga dashuria e Tij e madhe, Ai u bë ajo qënie e përsosur njerëzore dhe plotësoi standardet në vendin tim.

Mësova se Jezu Krishti nuk erdhi që ta merrnim shembull. Ai erdhi të bëhej zëvendësuesi ynë. Vuajtjet e tij nuk ishin për t’u imituar, por për të përfituar prej tyre. Me vdekjen e tij në kryq–të cilën e zbulova se e bëri me dëshirë–u gjykuan mëkatet dhe dështimet e mia. Në kryq, Perëndia tregoi dashurinë e Tij të madhe për ne. Ishte atje vendi ku Ai më pranoi. Ashtu siç thotë Bibla: “Perëndia e bëri të jetë mëkat për ne atë [Jezusin] i cili nuk njihte mëkat, që ne të të bëhemi drejtësia e Perëndisë në Të.”2

Mësova se pranimi real, i vërtetë gjendet tek një person i ri pas perdes. Unë ju ftoj dhe sfidoj ta hiqni perden dhe ta zbuloni Atë, dhe ta shqyrtoni ofertën e Tij të pranimit dhe faljes.

Qëllimi në jetën e vërtetë
(nga Merilin Adamson)

Gjithnjë kam menduar se jeta duhet të ketë kuptim. Jo domosdoshmërisht çdo çast i çdo dite. Dua të them, sa kuptim ka të lash rrobat? As që jeta duhet të jetë gjithnjë serioze. Ne të gjithë kemi nevojë për doza të mëdha gallate!

Por jeta është më shumë sesa kërkimi i qejfeve, pjesërisht sepse kënaqësia nuk zgjat përgjithmonë. E ke aty për një çast, pastaj të ikën. Publicisti Ravi Zakarias e ka thënë mirë: “Nëse nuk ka një kuptim të madh në jetë…atëherë jeta është pa një forcë shtytëse, pa substancën apo shpjegimin e plotë”.

Për shumë vite studiova filozofitë e Dostojevskit, Sartrit, Niçes, Sokratit dhe shumë të tjerëve–duke kërkuar për një qëllim të lartë, motivues për jetën time. Çdo dy-tre javë do të “provoja” një filozofi të re për të parë nëse funksiononte. Por këto filozofi më dolën zhgënjyese kur i zbatova në situatat reale të jetës. Kërkimi im vazhdoi.

Një korrespondent ndërkombëtar lajmesh për revistën TIME, Dr. David Aikman, hodhi dritë mbi këtë temë. Ai ka disa grada pas-universitare, është ekspert i historisë ruse dhe kineze dhe i çështjeve komuniste, ka punuar në më shumë se 30 vende, flet rrjedhshëm gjashtë gjuhë të huaja dhe është një mendimtar i thellë për çështjet e jetës. Ai tha: “Secili nga ne ka një qëllim, arsye pse jemi këtu, që askush tjetër nuk mund t’ua thotë, por mund ta zbulosh nga Perëndia.” Dr. Aikman rekomandonte fillimin e një marrëdhënie me Jezu Krishtin.

Dr. Aikman dha këtë përshkrim: “Kur dëgjova fjalët e Jezusit [në Bibël], m’u duk sikur i foli zemrës sime dhe po thoshte: ‘Unë jam udha drejt jetës. Nëse më ndjek dhe bën atë që të them, jeta jote do të ndryshojë.'” Më pas foli për marrjen e hapit të parë për të filluar një marrëdhënie me Jezu Krishtin, duke i kërkuar Atij të hynte në jetën e tij. Dr. Aikman konkludoi: “Unë mund të të premtoj …kushdo që merr hapin e parë drejt Jezu Krishtit do të ketë një jetë të gëzueshme.”

Ashtu si Dr. Aikman, unë vij nga një e kaluar ateiste, dhe ashtu si ai, mësova se deklaratat e Jezusit për veten e tij ishte mjaft unike. Jezusi nuk i drejton njerëzit tek filozofia e Tij mbi jetën, por tek vetja e vet. Jezusi tha se mund të falë mëkatet tona, të na japë paqe të brendshme në mes të rrethanave të vështira dhe të na udhëheqë drejt një jete të lirë.

E vendosa se në qoftë se kishte vërtet një Perëndi, unë doja ta njihja Atë. Por, ende isha skeptike. Debatoja dhe sfidoja të krishterët që njihja. Doja prova që Jezusi ishte Perëndi. Një ditë, i shqyrtova me sinqeritet provat për ekzistencën e Perëndisë dhe hyjninë e Krishtit, dhe u habita kur zbulova kaq shumë fakte logjike dhe historike. Atëherë e kuptova se duhej të merrja në vendim. A do t’i kërkoja Atij të hynte në jetën time dhe ta ndikonte atë siç donte Ai, apo do ta mbyllja kapitullin për këtë aspekt të jetës sime dhe do të refuzoja të shqyrtoja mundësinë e “Perëndisë” përgjithmonë?

Pasi rishikova arsyet konkrete, intelektuale për të besuar në Jezusin, i kërkova Jezusit të hynte në zemrën time. Dhe po atë ditë, kërkimi im për kuptimin e jetës mori zgjidhje përfundimtare.

Mahnitesha që mund të kisha një marrëdhënie me Perëndinë. Bisedoja me Të dhe, përmes ndryshimeve në rrethana, Ai tregonte se më kishte dëgjuar. Ai më udhëhoqi në rrugët e karrierës të cilat janë shumë më tepër të gjera dhe të gëzueshme nga ç’i kisha ëndërruar. I bëja pyetje dhe më çonte tek përgjigjiet e duhura dhe të dobishme nga Bibla.

Këto gjëra nuk ndodhën në një ditë të errët me stuhi. Ishte një marrëdhënie e sinqertë e dyanshme me Perëndinë të cilën po e shijoja vazhdimisht dhe që vazhdoj ta shijoj ende. Kjo nuk ndodhi sepse u bëra shenjtore, por sepse Jezu Krishti dëshiron të hyjë në jetën e kujtdo që vërtet do ta njohë dhe ndjekë atë.

Një gëzim i madh vjen kur ndjek Perëndinë. Ndryshe nga çdo gjë ose çdo njeri tjetër, njohja e Jezu Krishtit solli qëllim real në jetën time.

Në jetën e vërtetë…

Jeta e vërtetë është një jetë e mbushur me përmbushje, pranim dhe qëllim. Ne e gjejmë atë në një marrëdhënie me Jezu Krishtin. Askush në historinë njerëzore nuk ka bërë pohimet që bëri Jezusi dhe nuk ka dhënë prova kaq të mrekullueshme për t’i mbështetur ato. Ai pohoi se është Perëndi, se është në gjendje të falë mëkatet dhe të jetë udha e vetme nëpërmjet së cilës mund ta njohim Perëndinë Atë. Jezusi i mbështeti këto pohime nëpërmjet ringjalljes së Tij nga të vdekurit. Vërtet Ai është personi më unik që ka jetuar ndonjëherë…shumë më tepër se një mësues i madh.

Bibla thotë se Jezusi ishte Perëndia i cili u bë njeri–“Fjala u bën mish dhe banoi ndër ne.”3 Ai ishte vula e qënies së Tij [Perëndisë]”4 Me pak fjalë, Jezu Krishti e na e zbuloi tamam Perëndinë. Pra, si të fillojmë një marrëdhënie me Të?

Ne nuk e fillojmë një marrëdhënie me Perëndinë duke u përpjekur të jemi më të mirë. Perëndisë nuk i pëlqen të jetojmë duke u përpjekur për të fituar miratimin e Tij. A keni qenë ndonjëherë në një marrëdhënie me dikë në të cilën të është dashur të përpiqesh të fitosh miratimin e personit? Nuk është aspak zbavitëse.

Perëndia ka një dashuri kaq të sinqertë për ne, saqë siguroi mënyrën se si t’i afrohemi atij..por ka një problem. Për momentin, ajo ç’ka e pengon lidhjen tonë me Perëndinë është mëkati ynë (egocentrizmi ynë i treguar nga zemërimi, fjalët lënduese, padurimi, egoizimi, lakmia, etj.). Nëse e keni pyetur veten ndonjëherë pse lutjet duket se nuk shkojnë gjëkundi, kjo është arsyeja. Mëkati ynë na ka ndarë nga Perëndia, i cili është i shenjtë.

Pra, çfarë ka bërë Perëndia që ne të mund të kemi një marrëdhënie të ngushtë me Të? Jezu Krishti (“Perëndia në mish”) mori gjithë mëkatin tonë mbi vete kur vullnetarisht vdiq në kryq. Ai e bëri këtë në mënyrë që të jemi plotësisht të falur, që të pranohemi plotësisht.

Problemi ynë ilustrohet me një studente që akuzohet për një shkelje. Gjykatësi e dënon me 30 ditë burg ose me një gjobë prej 1000 dollarësh. Studentja nuk ka as kohë për të humbur as para për të paguar. Gjykatësi, duke e ditur këtë gjë, heq veshjen e tij, shkon përballë bankës së të akuzuarës dhe me paratë e tij paguan gjobën. Pse? Sepse, si një gjykatës i drejtë, ai nuk mund ta anashkalojë çështjen, por ngaqë është i ati i studentes, ai zgjedh të paguajë gjobën në vend të saj.

Kjo është pikërisht ajo çfarë bëri Jezusi për secilin nga ne në kryq. Ai bëri sakrificën e madhe duke u rrahur, poshtëruar, dhe kryqëzuar në vendin tonë. Tani Ai na kërkon që sakrificës së Tij t’i përgjigjemi duke e ftuar në jetët tona.

Si mund të jemi në jetë e vërtetë

Ai dëshiron që ta njohim Atë dhe të përjetojmë dashurinë, gëzimin dhe paqen e Tij. Kur e ftojmë në jetët tona, ne marrim faljen e Tij dhe fillojmë një marrëdhënie me Të që zgjat përgjithmonë. Jezusi tha: “Unë qëndroj tek dera (e zemrës suaj) dhe trokas. Nëse dikush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, unë do të hyj tek ai (ajo).”5

Nëse kjo është dëshira e zemrës suaj, më poshtë sugjerohet një lutje (por fjalët nuk janë aq të rëndësishme sa qëndrimi i zemrës suaj):

I dashur Perëndi, rrëfej që kam mëkatuar kundër teje. Falemnderit që e more mëkatin tim mbi veten Tënde në kryq. Dua të marr faljen Tënde. Dua të filloj një marrëdhënie me Ty. Të kërkoj të hysh në jetën time si Zoti dhe Shpëtimtari im. Të lutem, më jep jetën e vërtetë që vjen vetëm prej Teje.

Për më tepër për kuptimin e jetës, ju lutem shihni Burimi i një Jete të Ndryshuar ose artikuj të tjerë në këtë faqe.

Nga Bibla…

“Ai që ka Birin ka jetën; ai që nuk e ka Birin nuk e ka jetën.” (1 Gjonit 5:12)

“Të gjithëve atyre që e pranuan, të gjithëve atyre që besuan në emrin e tij, ai u dha të drejtën të bëhen fëmijë të Perëndisë.” (Gjoni 1:12)

“Sepse Perëndia kaq shumë e deshi botën saqë dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.” (Gjoni 3:16)

“Sepse me anë të hirit jeni shpëtuar, nëpërmjet besimit…jo nga veprat, që të mos mburret askush.” (Efesianëve 2:8-9)

“Nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja.” (2 Korintasve 5:17)

“Dhe kjo është jeta e përjetshme: të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe Jezu Krishtin, që ti ke dërguar.” (Gjoni 17:3)

 Sapo e ftova Jezusin në jetën time (këtu do të gjeni informacion të dobishëm)...
 Mbase dëshiroj ta ftoj Jezusin në jetën time, ju lutem ma shpjegoni këtë më qartë...
 Kam një pyetje...

Refenca: (1) Gjoni 6:35 (2) 2 Korintasve 5:21 (3) Gjoni 1:14 (4) Hebrenjve 1:3 (5) Zbulesa 3:20

TREGOJUA MIQVE:
WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More