Kurani erdhi nga Muhamedi. Libri i Mormonit erdhi nga Jozef Smithi. Por Bibla është unike midis librave të shenjtë në botë. Ajo nuk u shkrua nga një person. Përkundrazi, Dhiata e Vjetër dhe ajo e Re u shkruan nga 40 autorë të ndryshëm, në Azi, Afrikë dhe Europë, në një kohështrirje prej 1600 vjetësh.
Shkruesit e Biblës–edhe pse kaq të shpërndarë në kohë–përçojnë të gjithë të njëjtin mesazh bazë: Perëndia që krijoi qiejtë dhe Tokën ka siguruar një mënyrë që njerëzit ta njohin Atë personalisht.
Përveç autorësisë unike, Bibla përmban një sasi të madhe profecish që janë përmbushur deri në detaje. Për shembull, profetë të ndryshëm të Dhiatës së Vjetër kanë thënë mbi 300 profeci specifike në lidhje me ardhjen e Mesias, dmth, ku do të lindej, ku do të rritej, etj. Këto profeci u përmbushën në mënyrë të përsosur nga Jezu Krishti qindra vjet më vonë. Këto dhe shumë profeci të tjera të përmbushura tregojnë pse autorët me të drejtë shkruan, “Kështu thotë Zoti…”–ata po flisnin për Atë që e di “fundin që nga fillimi.”1 Më shumë për profecitë e Biblës.
Më shumë për profecitë e Biblës.
Shtatëqind vjet para se të lindej Jezusi, në librin e Isaias (në Dhiatën e Vjetër) u shkruan profeci për ardhjen e Mesias. Jezusi përmbushi jo vetëm këto profeci, por përmbushi mbi 300 profeci të tjera specifike për Mesian që gjenden në gjithë Dhiatën e Vjetër. Më poshtë jepen vetëm disa nga ato që gjenden në librin e Isaias të krahasuara me Dhiatën e Re…
Profecitë e Dhiatës së Vjetër | Plotësimi në Dhiatën e Re |
Lindur nga një virgjëreshë Prandaj vetë Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel (që do të thotë, Perëndia me ne, Shën i red.). (Isaia 7:14) |
Tani lindja e Jezu Krishtit ndodhi në këtë mënyrë: Maria, nëna e tij, i ishte premtuar Jozefit, por para se të fillonin të rrinin bashkë, mbeti shtatzënë nga Fryma e Shenjtë… Dhe Jozefi, si u zgjua nga gjumi, veproi ashtu siç e kishte urdhëruar engjëlli i Zotit dhe e mori pranë vetës gruan e tij; por ai nuk e njohu, derisa ajo lindi djalin e saj të parëlindur, të cilit ia vuri emrin Jezus. (Mateu 1:18,24,25) |
Shërbesë me mrekulli Atëherë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhëve;atëherë çalamani do të kërcejë si një dre dhe gjuha e memecit do të bërtasë nga gëzimi, sepse do të dalin ujëra në shkretëtirë dhe përrenj në vendin e vetmuar. (Isaia 35:5,6) |
Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Shkoni dhe i tregoni Gjonit gjërat që dëgjoni dhe shikoni: Të verbërit po shohin, të çalët po ecin, lebrozët janë pastruar dhe të shurdhërit po dëgjojnë; të vdekurit po ngjallen dhe ungjilli po u predikohet të varfërve.'” (Mateu 11:4,5) |
Vdiq për mëkatet e njerëzimit “Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar. Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve.” (Isaia 53:5,6) …sepse e ka përkushtuar jetën e tij deri në vdekje dhe u përfshi midis keqbërësve; ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave dhe ka ndërhyrë në favor të shkelësve, (Isaia 53:12b) |
“Unë jam bariu i mirë. Bariu i mirë jep jetën e vet për delet.” (Gjoni 10:11) Pastaj i mori me vete të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: “Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe të gjitha ato që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushen. Ai, pra, do t’u dorëzohet paganëve, do të fyhet e do të poshtërohet dhe do ta pështyjnë. Dhe, pasi ta fshikullojnë, do ta vrasin, por ai do të ringjallet të tretën ditë”. (Luka 18:31-33) Atëherë Pilati mori Jezusin dhe dha urdhër ta fshikullonin. Dhe ushtarët thurën një kurorë me gjemba, ia vunë mbi krye dhe i veshën sipër një mantel të purpurt, dhe thoshin: “Tungjatjeta, o mbret i Judenjve”; dhe i binin me shuplaka. (Gjoni 19:1-3) Dhe ai, duke mbartur kryqin e tij, u nis drejt vendit që quhej “Kafka”, që në hebraisht quhet “Golgota”, ku e kryqëzuan, dhe me të dy të tjerë, njërin në një anë e tjetrin në anën tjetër, dhe Jezusi në mes… (Gjoni 19:17-18) |
— “Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua.” (Gjoni 5:39)
— “Në qoftë se ju do t’i kishit besuar Moisiut, do të më besonit edhe mua, sepse ai ka shkruar për mua.” (Gjoni 5:46)
— Pastaj i mori me vete të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: “Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe të gjitha ato që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushen. Ai, pra, do t’u dorëzohet paganëve, do të fyhet e do të poshtërohet dhe do ta pështyjnë.Dhe, pasi ta fshikullojnë, do ta vrasin, por ai do të ringjallet të tretën ditë.” (Luka 18:31-33)
Pasi u ringjall së vdekuri…
— Atëherë ai u tha atyre: “O budallenj dhe zemërngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët! Por a nuk duhej që Krishti të vuajë gjëra të tilla që të hyjë kështu në lavdinë e tij?”. Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij.. (Luka 24:25-27)
— Pastaj u tha atyre: “Këto janë fjalët që unë ju thoja kur isha ende me ju: se duhet të përmbushen të gjitha gjërat që janë shkruar lidhur me mua në ligjin e Moisiut, në profetët dhe në psalmet”. Atëherë ua hapi mendjen, që të kuptonin Shkrimet, dhe u tha atyre: “Kështu është shkruar dhe kështu ishte e nevojshme që Krishti të vuante dhe të ngjallej së vdekuri ditën e tretë, dhe që në emër të tij të predikohet pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjithë popujt, duke filluar nga Jeruzalemi. Dhe ju jeni dëshmitarët e këtyre gjërave. (Luka 24:44-48)
(Të gjitha pasazhet biblike janë marrë nga përkthimi në Shqip i Diodatit të Ri, LIM)
Gjithashtu arkeologjia në mënyrë të vazhdueshme konfirmon emrat e njerëzve, ngjarjet historike dhe detajet gjeografike saktësisht siç jepen në Dhiatën e Vjetër dhe të Re. Megjithëse arkeologjia nuk mund të provojë të vërtetën shpirtërore të Biblës, zbulimet tregojnë besueshmërinë e Biblës si dokument historik. Më shumë për arkeologjinë e Biblës.
Më shumë për arkeologjinë e Biblës.
Zbulime të mëdha arkeologjike
ZBULIME ARKEOLOGJIKE | RËNDËSIA |
Pllakat Mari | Mbi 20,000 pllaka kuneiforme, që datojnë nga koha e Abrahamit, shpjegojnë shumë nga traditat e patriarkëve tek Zanafilla. |
Pllakat Ebla | Mbi 20,000 pllaka, shumë prej të cilave përmbajnë ligje të ngjashme me kodin e Ligjit të Përtërirë. Identifikohen pesë qytetet e fushës tek Zanafilla 14 (Sodom, Gomorra, Admah, Ceboim, dhe Coar) që mendoheshin se ishin të trilluar. |
Pllakat Nuzi | Ato përshkruajnë zakone të shekujve të 14-të dhe të 15-të paralele me ato që tregohen tek përshkrimet për patriarkët, si psh që shërbëtoret iu lindnin fëmijë grave shterpa. |
Shtylla e zezë | Provoi që ligjet e shkruara ekzistonin tre shekuj para Ligjeve të Moisiut. |
Muret e tempullit të Karnakut, Egjipt | Një referencë për Abrahamin që i përket shek. të 10-të para Krishtit. |
Ligjet e Eshnunna-s (rr. 1950 Para Kr.)Kodi Lipit-Ishtar (rr. 1860 Para Kr.)Ligjet e Hammurabit (rr. 1700 Para Kr.) | Tregojnë që kodet ligjore të Pentateukut nuk ishin tepër të sofistikuara për atë periudhë. |
Pllakat e Ras Shamra-s | Japin informacion mbi poezinë hebreje. |
Letrat e Lakishit | Përshkruajnë pushtimin e Judës nga Nebukadnecari dhe japin informacion për kohën e Jeremias. |
Vula e Gedaliahut | Për Gedaliahun flitet tek 2 Mbretërve 25:22. |
Cilindri i Kirit | Vërteton përshkrimin biblik të dekretit të Kirit për të lejuar hebrenjtë të rindërtonin tempullin në Jerusalem (shih 2 Kronikave 36:23; Ezra 1:2-4). |
Guri Moabit | Jep informacion për Omrin, mbretin e gjashtë të Izraelit. |
Obelisku i zi i Shalmaneserit III | Ilustron si Jehut, mbretit të Izraelit, iu desh t’i nënshtrohej mbretit të Asirisë. |
Prizmi i Taylor-it | Përmban një tekst asirian që përshkruan sulmin e Senakeribit mbi Jerusalemin në kohën e Ezekias, mbretit të Judës. |
AKUZA NGA KRITIKËT NË TË KALUARËN | PERGJIGJIET NGA ARKEOLOGJIA |
Moisiu nuk mund ta ketë shkruar Pentateukun sepse në kohën e tij shkrimi nuk ekzistonte. | Shkrimi ekzistonte shumë shekuj para Moisiut. |
Uri, qyteti nga i cili doli Abrahami nuk ekziston. | Uri u zbulua. Njëra nga kolonat kishte mbishkrimin “Abram.” |
Qyteti i ndërtuar mbi shkëmb, i quajtur “Petra” nuk ekziston. | Petra u zbulua. |
Historia e rënies së Jerikosë është legjendë. Qyteti nuk ka ekzistuar. | Qyteti u gjet dhe u gërmua. U pa se muret kishin rënë në të njëjtën mënyrë siç përshkruhet në Bibël. |
“Hitejtë” nuk kanë ekzistuar. | Janë gjetur qindra referenca për qytetërimin mahnitës Hite. Madje mund të marrësh edhe një doktoratë për studime Hiteje në universitetin e Çikagos. |
Belshazari nuk ka qenë mbret i vërtetë i Babilonisë; ai nuk gjendet në dokumente. | Pllakat e Babilonisë përshkruajnë sundimin e këtij koregjenti dhe biri të Nabonidit. |
Gjithashtu, krahasuar me shkrime të tjera të vjetra, Bibla është ruajtur në mënyrë të shkëlqyer me kalimin e kohës. Në kontrast me vetëm shtatë dorëshkrime ekzistuese të shkrimeve të Platonit, ka mbi 5,000 dorëshkrime të Dhiatës së Re. Dhe kur tekstet e këtyre volumeve krahasohen me njëri-tjetrin, del se përputhen 99.5%. Më shumë për dorëshkrimet.
Më shumë për dorëshkrimet.
Ja si krahasohet Dhiata e Re me shkrime të tjera të lashta*:
Autori | Libri | Data e shkrimit |
Kopjet më të hershme |
Hapësira kohore |
Nr. i kopjeve |
Homer | Iliada | 800 Para Kr. | rr. 400 Para Kr. | rr. 400 vjet. | 643 |
Herodoti | Histori | 480-425 Para Kr. | rr. 900 Pas Kr. | rr. 1,350 vjet. | 8 |
Tukididi | Histori | 460-400 Para Kr. | rr. 900 Pas Kr. | rr. 1,300 vjet. | 8 |
Platoni | 400 Para Kr. | rr. 900 Pas Kr. | rr. 1,300 vjet. | 7 | |
Demosteni | 300 Para Kr. | rr. 1100 Pas Kr. | rr. 1,400 vjet. | 200 | |
Cezari | Luftrat Galike |
100-44 Para Kr. | rr. 900 Pas Kr. | rr. 1,000 vjet. | 10 |
Taciti | Analet | 100 Pas Kr. | rr. 1100 Pas Kr. | rr. 1,000 vjet. | 20 |
Plini i Riu |
Historia e natyrës |
61-113 Pas Kr. | rr. A.D. 850 | rr. 7500 vjet. | 7 |
Dhiata e Re | 50-100 Pas Kr. | rr. 114 Pas Kr. (pjesë)rr. 200 Pas Kr. (libra)rr. 325 Pas Kr. (Dh. R. E plotë) | rr. +50 vjet.rr. 100 vjet.rr. 225 vjet. | 5366 |
*McDowell, Josh. The New Evidence that Demands a Verdict (Thomas Nelson Publishers, 1999), p. 55. (Tani edhe në shqip, Fakte të reja që kërkojnë vendim)
Si mund ta dimë nëse biografitë e ungjijve mbi jetën e Jezusit janë të sakta? Kur historianët përpiqen të përcaktojnë nëse një biografi është e besueshme, ata shtrojnë pyetjen, “A tregojnë edhe burimet e tjera të shumta të njëjtat hollësi për këtë person?”
Ja si bëhet kjo. Imagjinoni sikur po mblidhni biografi të Xhon F. Kenedit. Gjeni shumë prej tyre që përshkruajnë jetën e tij familjare, karrierën e tij si president, trajtimin e konfliktit me Kubën, dhe secila prej tyre raporton fakte të ngjashme. Por po sikur të gjeni një biografi që thotë se Xhon Kenedi shërbeu për dhjetë vjet si prift në Afrikën e Jugut? Asnjë prej burimeve të tjera nuk përmendte asgjë, as për karrierën e tij si prift, as për jetën e tij në Afrikën e Jugut. Është e qartë se besueshmëria e kësaj biografie lë shumë për të dëshiruar.
Në lidhje me Jezusin e Nazaretit, a gjejmë biografi të shumta që raportojnë fakte të ngjashme për jetën e tij? Po. Janë katër librat e Dhiatës së Re (që quhen ungjij) që japin hollësi të shumta të jetës së Jezusit. Kush i shkroi ungjijtë? Dy nga librat u shkruan nga njerëz që e njohën Jezusin personalisht dhe e ndoqën Atë për më shumë se tre vjet (Mateu dhe Gjoni); dy librat e tjerë u shkruan nga bashkëpunëtorë të ngushtë të apostujve të Jezusit.
Secili nga të katër autorët dha një përshkrim të hollësishëm të jetës së Jezusit. Siç mund të pritet kur disa shkrimtarë shkruajnë për jetën e një personi real, ka përputhje faktesh, por edhe veçanti dhe variacione në përshkrime. Dhe secila biografi prezantohet pa zmadhime apo zbukurime, por në një stil gazetaresk si “kështu ngjau.” Ungjijtë japin emërtime gjeografike dhe detaje kulturore specifike që janë konfirmuar nga historianët dhe arkeologët. Edhe mesazhi që përmbahet në ungjijtë tregon vërtetësi.
Deklaratat e Jezusit i përshtaten kulturës dhe audiencës së cilës po i drejtohej, por prapë ato janë ndryshe nga ajo që mësohej në atë kohë në Judaizëm. Duke lexuar ungjijtë shohim se mësimet e Tij nuk përfshijnë shumë nga çështjet për të cilat kisha e hershme do të kishte dashur që Jezusi të kishte folur. Kjo mbështet supozimin që biografët ishin të saktë, dhe nuk iu kishin shtuar gjë fjalëve të Jezusit nga një këndvështrim i mëvonshëm.
Për një shembull të asaj që paraqitet në njërin nga ungjijtë, klikoni këtu.
Për një shembull të asaj që paraqitet në njërin nga ungjijtë, klikoni këtu.
Ungjijtë paraqiten si fakte të pangjyrosura, “kështu ndodhi.” Edhe mrekullitë e Jezusit përshkruhen pa sensacionalizëm apo misticizëm. Një shembull tipik është ngjarja e përshkruar te Luka, kapitulli 8, ku Jezusi kthen përsëri në jetë një vajzë të vogël. Vini re detajet dhe qartësinë në raportim:
Dhe ja, erdhi një njeri me emër Jair, që ishte kryetari i sinagogës ; ai i ra ndër këmbë Jezusit dhe iu lut të shkonte në shtëpinë e tij, sepse ai kishte një vajzë të vetme rreth dymbëdhjetë vjeçe, që ishte për vdekje.
Ndërsa Jezusi po shkonte atje, turma po shtyhej përreth tij. Dhe një grua që kishte një fluks gjaku prej dymbëdhjetë vjetësh dhe kishte shpenzuar ndër mjekë gjithë pasurinë e saj, pa mundur që të shërohej nga njeri, iu afrua nga pas dhe i preku cepin e rrobës së tij dhe në atë çast iu pre fluksi i gjakut.
Dhe Jezusi tha: “Kush më preku?”. Mbasi të gjithë e mohuan, Pjetri dhe ata që ishin me të, thanë: “Mësues, turmat po shtyhen dhe po të ndeshin dhe ti thua: “Kush më preku?”. Por Jezusi tha: “Dikush më preku, sepse e ndjeva që një fuqi doli prej meje”.
Atëherë gruaja, duke parë se nuk mbeti e padiktuar, erdhi, duke u dridhur e tëra, dhe i ra ndër këmbë dhe i deklaroi në prani të gjithë popullit, përse e kishte prekur dhe si ishte shëruar në çast. Dhe ai i tha: “Merr zemër, bijë; besimi yt të shëroi; shko në paqe!”.
Ndërsa Jezusi vazhdonte të fliste, erdhi një nga shtëpia e kryetarit të sinagogës dhe i tha: “Vajza jote vdiq, mos e shqetëso Mësuesin”.
Por Jezusi, mbasi i dëgjoi këto, i tha: “Mos druaj; ti vetëm beso dhe ajo do të shpëtojë”. Si arriti në shtëpi, nuk la asnjeri të hyjë, përveç Pjetrit, Gjonit dhe Jakobit, dhe atin e nënën e vajzës. Të gjithë qanin dhe mbajtën zi. Por ai tha: “Mos qani; ajo nuk ka vdekur, por po fle”. Dhe ata e përqeshnin; duke e ditur se kishte vdekur.
Por ai, mbasi i nxori jashtë të gjithë, e kapi për dore dhe thirri duke thënë: “Vajzë, çohu!”. Asaj iu kthye fryma e saj dhe menjëherë u çua; pastaj Jezusi urdhëroi që t’i jepnin të hante.
Dhe prindërit e saj mbetën të habitur. Por Jezusi i porositi të mos i thonin kurrkujt ç’kishte ndodhur.
Ashtu si edhe tregime të tjera kur Jezusi ka shëruar njerëz, edhe ky tingëllon autentik. Po të ishte i trilluar, disa pjesë do të ishin shkruar ndryshe. Për shembull, në një tregim të trilluar nuk do të kishte ndërprerje nga diçka tjetër. Po të ishte i trilluar, njerëzit në zi nuk do të qeshnin; mund të inatoseshin, të lëndoheshin, por jo të qeshnin. Dhe po të ishte i trilluar, a do t’i kishte urdhëruar Jezusi prindërit të heshtnin? Shërimi ishte diçka e madhe. Por jeta e vërtetë nuk është gjithmonë si në libra. Ka ndërprerje. Njerëzit reagojnë në mënyra të çuditshme. Dhe Jezusi kishte arsyet e veta që nuk donte që kjo të merrej vesh.
Prova më e mirë për autenticitetin e ungjijve është t’i lexosh vetë. A duket si raportim i ngjarjeve reale apo të trilluara? Nëse reale, atëherë Perëndia na e ka zbuluar Veten neve. Jezusi erdhi, jetoi, mësoi, frymëzoi dhe u dha jetë miliona njerëzve që lexojnë fjalët dhe jetën e Tij sot. Shumë njerëz e kanë përjetuar atë që Jezusi ka thënë në ungjijtë: “Unë erdha që ato të kenë jetë dhe ta kenë atë me bollëk.” (Gjoni 10:10)
Po. Kornel Taciti (Cornelius Tacitus) (A.D. 55-120), një historian romak i shekullit të parë, “konsiderohet një nga historianët më të saktë të botës së lashtë.”2 Një fragment nga Taciti na thotë se Neroni “iu bëri torturat më të egra një klase…të quajtur të krishterë …Christus [Krishti], nga i cili e marrin emrin, vuajti dënimin ekstrem gjatë sundimit të Tiberit në duart e njërit prej guvernatorëve tanë, Ponc Pilatit….”3 (Në kontrast, Kurani, i shkruar gjashtë shekuj më vonë thotë se Jezusi nuk u kryqëzua, megjithëse ky është një fakt që konfirmohet nga një numër historianësh laikë.4)
Flav Jozefi (Flavius Josefus), një historian hebre (A.D. 38-100+), shkroi për Jezusin në veprën e tij Antikitete hebreje. Nga Jozefi, “mësojmë se Jezusi ishte një njeri i mençur që bëri bëma të çuditshme, mësoi shumë njerëz, fitoi ndjekës midis Judenjve dhe Grekëve, u besua të ishte Mesia, u akuzua nga udhëheqësit Judenj, u dënua me kryqëzim nga Pilati dhe u tha se u ringjall.”5
Suetoni, Plini i Riu, dhe Talusi shkruan për adhurimin e të krishterëve dhe përndjekjen e tyre në përputhje me ato që tregon Dhiata e Re.
Madje edhe Talmudi jude, megjithëse nuk është një burim dashamirës ndaj Jezusit, pajtohet me ngjarjet kryesore të jetës së Tij. Nga Talmudi, “ne mësojmë se Jezusi u ngjiz jashtë martese, mblodhi dishepuj, bëri deklarata blasfemuese për veten, dhe bëri mrekulli, por këto mrekulli i atribuohen magjisë dhe jo Perëndisë.”6
Ky informacion është i jashtëzakonshëm duke marrë parasysh që shumica e historianëve të lashtë fokusoheshin në udhëheqësit politikë dhe ushtarakë. Megjithatë, hebrenj, grekë dhe romakë të lashtë (që vetë nuk ishin ndjekës të zjarrtë të Jezusit) mbështesin si të vërteta ngjarjet kryesore që paraqiten në katër ungjijtë.
Disa njerëz kanë idenë se Dhiata e Re është përkthyer “aq shumë herë” saqë është korruptuar në fazat e përkthimit. Në qoftë se përkthimet do të bëheshin nga përkthimet e tjera, ata mund të kishin një farë të drejte. Por përkthimet nuk janë bërë nga përkthimet, por nga teksti origjinal në greqisht që gjendet në dorëshkrimet e lashta.
Ne e dimë se Dhiata e Re që kemi sot është besnike ndaj origjinalit sepse:
1. Kemi një numër të madh kopjesh të dorëshkrimeve–mbi 5,000.
2. Fjalët në këto kopje përputhen me njëra tjetrën–99.5% përputhje.
3. Kopjet janë gjetur shumë afër datës së shkrimit të origjinalit–shih lidhjen në fund të këtij artikulli.
Kur dikush krahason tekstin nga një kopje dorëshkrimi në tjetrën, përputhshmëria është e habitshme. Ndonjëherë mund të ndryshojë gërmëzimi ose rendi i fjalëve në fjali, por kjo ka pak rëndësi. Në lidhje me rendin e fjalëve, Bruce M. Metzger, profesor emeritus në Princeton Theological Seminary, shpjegon: “Në anglisht ka shumë ndryshim nëse thua, ‘Dog bites man’ dhe ‘Man bites dog’–rendi i fjalëve në fjali ka shumë rëndësi në anglisht. Por në greqisht (ashtu si dhe në shqip, shën. përk.) jo. Një fjalë funksionon si kryefjalë e fjalisë pavarësisht se ku qëndron në fjali.”7
Po në lidhje me mospërputhjet? Variacionet midis dorëshkrimeve janë “aq të rralla saqë studiuesit Norman Geisler dhe William Nix arrijnë në përfundimin, ‘Dhiata e Re, pra, jo vetëm që ka mbijetuar në më shumë dorëshkrime se çdo libër tjetër i antikitetit, por ka mbijetuar në një formë më të pastër se çdo libër tjetër i madh–një formë që është 99.5 përqind e pastër.'”8
Dr. Ravi Zacharias, akademik i Cambridge University, komenton: “Në të vërtetë, Dhiata e Re është më i vërtetuari nga shkrimet e lashta për nga numri i dokumenteve, hapësira kohore midis ngjarjeve dhe dokumenteve, dhe shumëllojshmëria e dokumenteve që kemi për ta mbështetur apo për ta kundërshtuar. Nuk ka asgjë në provat e dorëshkrimeve të lashta që të krahasohet me një shumicë dhe pastërti të tillë tekstesh.”9
Dhiata e Re është dokumenti më i besueshëm i lashtë i njerëzimit. Pastërtia e saj tekstuale është më e sigurt se ajo e shkrimeve të Platonit apo e Iliada së Homerit.
Disa pretendojnë se Bibla përmban kontradikta të shumta. Ja një shembull. Pilati urdhëroi që të vendosej një tabelë mbi kokën e Jezusit në kryq. Tre nga ungjijtë regjistrojnë çfarë thuhej në atë tabelë:
Te Mateu: “Ky është Jezusi, mbreti i judenjve.”
Te Marku: “Mbreti i judenjve.”
Te Gjoni: “Jezusi i Nazaretit, mbreti i judenjve.”
Zgjedhja e fjalëve është e ndryshme, megjithatë mesazhet nuk kontradiktojnë njëri-tjetrin. Po pse nuk kanë të njëjtat fjalë? Në greqishten e vjetër, gjuhë në të cilën u shkruan ungjijtë, nuk përdoreshin thonjëzat. Kështu nuk mund ta dimë nëse autorët kanë përdorur ligjëratë të drejtë apo thjesht kanë perifrazuar. Kjo shpjegon ndryshimet e vogla në pasazhe.
Ja një shembull tjetër i diçkaje që mund të duket si kontradiktë. A ndenji Jezusi dy net në varr apo tri net në varr përpara se të ringjallej? Jezusi tha, përpara kryqëzimit të Tij, “Në fakt ashtu si Jona qëndroi tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu Biri i Njeriut do të qëndrojë tri ditë e tri net në zemër të tokës” (Mateu 12:40). Marku regjistron një deklaratë tjetër të Jezusit, “Ja, ne po ngjitemi në Jerusalem, dhe Biri i Njeriut do t’u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve; dhe ata do ta dënojnë me vdekje dhe do ta dorëzojnë në duar të paganëve, të cilët do ta tallin, do ta fshikullojnë, do ta pështyjnë dhe do ta vrasin, por ai ditën e tretë do të ringjallet.” (Marku 10:33,34)
Jezusi vdiq të premten dhe ringjallja u mor vesh të dielën. Si mund të bëhen tri ditë dhe net në varr? Në të folurën hebreje çdo pjesë e ditës apo e natës llogaritet si një ditë dhe natë e plotë. Kështu, e premte, e shtunë dhe e diel do të ishin tri ditë dhe tri net në kulturën hebreje. Edhe ne përdorim diçka të ngjashme. Nëse dikush thotë, “Kam bërë pazar gjithë ditën,” ne e kuptojmë se ai nuk po thotë se ka bërë pazar 24 orë.
Kjo është tipike për kontradiktat në dukje në Dhiatën e Re. Shumë shpjegohen nga teksti vetë ose nga kuptimi i sfondit historik të asaj kohe.
Arkeologjia nuk mund të provojë që Bibla është fjala e shkruar e Perëndisë për ne. Megjithatë, arkeologjia mund të vërtetojë (dhe e vërteton) saktësinë historike të Biblës. Arkeologët kanë zbuluar herë pas here emrat e qeveritarëve, mbretërve, qyteteve dhe festave që përmenden në Bibël–disaherë kur historianët mendonin se ato nuk ekzistonin. Për shembull, ungjilli i Gjonit tregon për shërimin e një të paralizuari nga Jezusi pranë Pellgut të Betesdës. Teksti përshkruan madje pesë portikë (korridore) që të çojnë te pellgu. Studiuesit mendonin se ky pellg nuk ekzistonte, derisa arkeologët e gjetën dymbëdhjetë metra nën tokë, me të pesë portikët.10
Bibla ka një sasi të jashtëzakonshme detajesh historike, prandaj jo çdo gjë që përmendet aty është zbuluar nga arkeologjia. Megjithatë, asnjë zbulim arkeologjik nuk ka kundërshtuar ato që Bibla regjistron.11
Në kontrast me të, gazetari Lee Strobel komenton në lidhje me Librin e Mormonit: Arkeologjia në mënyrë të përsëritur nuk ka arritur të vërtetojë pretendimet e tij për ngjarjet që përshkruhen aty se kanë ndodhur shumë kohë më parë në dy Amerikat. I kam shkruar Institutit Smithsonian për të pyetur nëse kishte ndonjë provë që mbështeste pretendimet e Mormonizmit, vetëm për të dëgjuar në fjalë të qarta se arkeologët e tij ‘nuk shikojnë asnjë lidhje të drejtpërdrejtë midis arkeologjisë së Botës së Re dhe përmbajtjes së librit.'” Arkeologët s’i kanë gjetur kurrë qytetet, personat, emrat ose vendet që përshkruhen në Librin e Mormonit.12
Në krahasim me këtë, shumë nga vendet e lashta të përmendur nga Luka, në Librin e Veprave të Apostujve në Dhiatën e Re, janë identifikuar nga arkeologjia. “Gjithsej, Luka përmend tridhjetë e dy vende, pesëdhjetë e katër qytete dhe nëntë ishuj pa asnjë gabim.”13
Arkeologjia gjithashtu ka hedhur poshtë shumë teori të pabazuara në lidhje me Biblën. Për shembull, Hipoteza Dokumentare JEPD që ende mësohet në disa universitete sot, sugjeron se Moisiu nuk mund ta kishte shkruar Pentatukun (pesë librat e parë të Biblës), sepse shkrimi nuk ekzistonte në atë kohë. Pastaj arkeologët zbuluan Obeliskun e Zi. “Ishte me shkrim kuneiform dhe përmbante ligjet e Hamurabit në detaje. A ishte pas Moisiut? Jo! Ishte para Moisiut; dhe jo vetëm kaq, por ishte edhe pre-Abrahamik (2,000 B.C.). Ai ishte të paktën tre shekuj para shkrimeve të Moisiut…. ‘Hipoteza Dokumentare’ mësohet ende, por baza e saj është hedhur poshtë dhe është treguar se është e rreme.”14
Një zbulim tjetër madhor arkeologjik konfirmoi një alfabet të hershëm në gjetjen e Pllakave të Eblas në 1974. Këto 14,000 pllaka argjile mendohet të jenë që nga 2300 para Krishtit, që do të thotë qindra vjet përpara Abrahamit.15 Pllakat përshkruajnë kulturën dhe jetën në mënyrë të ngjashme me atë që regjistrohet në kapitujt 12-50 të librit të Zanafillës në Bibël.
Arkeologjia vazhdimisht dhe në mënyrë të fuqishme konfirmon saktësinë historike të Biblës.
Ka arsye të forta për t’i besuar listës së sotme të librave të Dhiatës së Re. Shkruesit e ungjijve, Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni, u përmendën edhe më përpara si burime të besueshme, dy prej të cilëve kishin qenë ndjekës të ngushtë të Jezusit. Edhe autorët e tjerë të Dhiatës së Re konsiderohen të besueshëm: Jakobi dhe Juda (gjysmë vëllezër të Jezus, të cilët në fillim nuk i besuan), Pjetri (një nga 12 apostujt), dhe Pali (të cilin Jezusi e bëri apostull pas vdekjes dhe ringjalljes së Tij). Kisha i njihte këta burra dhe e dinte lidhjen e tyre me Jezusin. Për më tepër, ajo që ata shkruan ishte në përputhje me ato që njerëzit kishin dëgjuar dhe parë vetë në lidhje me Jezusin dhe ua kishin përcjellë fëmijëve.
Kur dolën librat e tjerë qindra vjet më vonë (p.sh. ungjilli i Pjetrit, megjithëse Pjetri kishte kohë që kishte vdekur), nuk ishte e vështirë që kisha t’i dallonte si të rreme, si falsifikime.
Një shembull tjetër është ungjilli i Thomait (të cilit Muhamedi i referohet në Kuran). Ungjilli i Thomait u shkrua rreth 140 pas Krishtit, shumë kohë pasi Thomai kishte vdekur. Megjithëse kishte disa ngjashmëri me ungjillin autentik të Mateut, përmbante mesazhe krejt të ndryshme. Përshkrimet e Jezusit nuk përputheshin me asnjë të vërtetë që kisha e hershme dinte për Të.
Ndërkohë që libra si ungjilli i Thomait u shkruan dhe qarkulluan në kishën e hershme, nuk ishte e vështirë që njerëzit të dallonin falsifikimet. Shkrime të tilla të rreme dhe ungjijtë gnostikë binin në kundërshtim me mësimet e njohura të Jezusit dhe të Dhiatës së Vjetër, dhe shpesh përmbanin gabime të shumta historike dhe gjeografike.18
Më në fund u bë e nevojshme të kishte një listë zyrtare të librave të Dhiatës së Re për arsyet e mëposhtme: 1) me martirizimin e të krishterëve librat po shkatërroheshin (prandaj, cilët duheshin mbrojtur?); 2) një listë e tillë ishte e rëndësishme në përkthimin e librave në gjuhën siriake dhe në latinishten e vjetër; 3) librat dhe mësimet e rreme po e sfidonin gjithnjë kishën dhe udhëheqja e kishës duhej të ishte e qartë. Në vitin 367 pas Krishtit, Athanasi bëri në mënyrë formale listën e 27 librave të Dhiatës së Re (të njëjtën listë që kemi sot). Shumë shpejt pas tij, Jeromi dhe Augustini qarkulluan të njëjtën listë.
Arsyeja kryesore pse ungjijtë nuk u shkruan menjëherë pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit ishte se nuk kishte nevojë për shkrime të tilla. Fillimisht ungjilli u përhap me anë të fjalës së folur në Jerusalem. Nuk ishte nevoja të hartohej ndonjë histori e shkruar e jetës së Jezusit, sepse ata që ishin në zonën e Jerusalemit ishin dëshmitarë të Jezusit dhe shumë të informuar për shërbesën e Tij.19
Megjithatë, kur ungjilli u përhap përtej Jerusalemit, dhe dëshmitarët okularë nuk ishin aq të disponueshëm lindi nevoja për historinë e shkruar për t’u mësuar të tjerëve për jetën dhe shërbesën e Jezusit. Shumë studiues i datojnë ungjijtë 17-32 vjet pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit.
Luka na jep pak më shumë informacion për këtë duke thënë në fillim të ungjillit të tij pse po e shkruan atë: “Mbasi shumë vetë ndërmorën të renditin tregimin e ngjarjeve që ndodhën në mesin tonë ashtu si na i përcollën ata që ishin bërë nga fillimi dëshmitarë okularë dhe shërbyes të fjalës, m’u duk e mirë edhe mua, pasi i hetova të gjitha gjërat me kujdes që nga fillimi, të t’i shkruaj sipas radhës, fort i nderuari Teofil, që ti të njohësh vërtetësinë e gjërave që të kanë mësuar.”20
Edhe Gjoni e jep arsyen e shkrimit të ungjillit të tij: “”Jezusi bëri edhe shumë shenja të tjera në prezencën e dishepujve të tij, të cilat nuk janë shkruar në këtë libër. Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të tij.”21
Keni lexuar ndonjëherë diçka nga ungjijtë e Dhiatës së Re? Për të lexuar një pjesë nga ungjilli i Gjonit, klikoni këtu.
Dhe, nëse dëshironi të dini më shumë për Jezusin, ky artikull do t’ju japë një përmbledhje të mirë të jetës së Tij: Përtej besimit të verbër.
Po. Por që besimi të ketë vërtet vlerë, duhet të bazohet në fakte, në realitet. Ja pse. Nëse do të duhej të merrje avionin për në Londër, ndoshta do të kishe besim se ai është mbushur me karburant dhe në rregull nga ana mekanike, se piloti është i trajnuar dhe se s’ka terroristë në bord. Megjithatë nuk është besimi ai që të çon në Londër. Besimi të shërben për të hipur në avion, por ato që të çojnë në Londër janë parametrat e rregullt të avionit, piloti, etj. Ti mund të kujtosh përvojat e tua pozitive në fluturimet e kaluara, por ato nuk mjaftojnë ta çojnë atë avion në Londër. Ajo që ka rëndësi është objekti i besimit–a është ai i besueshëm?
Besimi në Perëndinë kërkon disa arsye objektive, përndryshe do të jetë një besim i dobët, shpresues, që mund të ndryshojë sa herë që ndryshojnë rrethanat. Nëse jeta shkon mirë për një person në Francë, atëherë ai mund të arrijë në përfundimin se Perëndia është atje dhe Ai është shumë i mirë. Po një person që është në Indi, jeta e të cilit nuk është aq e rehatshme? Është Perëndia vërtet atje? Është Perëndia i disponueshëm dhe i dobishëm edhe për atë person? Si mund ta dimë? E shihni, pra, nuk është besimi çështja, por çfarë e mbështet besimin.
Prandaj pyetja është e rëndësishme. Është Dhiata e Re një paraqitje e saktë, e besueshme e Jezusit? Po. Ne mund t’i besojmë Dhiatës së Re sepse ka shumë mbështetje faktike për të. Ky artikull preku pikat e mëposhtme: historianët pajtohen, arkeologjia pajtohet, të katër ungjijtë janë në përputhje, profecitë e përmbushura tregojnë ndërhyrje hyjnore, ka vazhdimësi me autorët e Dhiatës së Vjetër, ruajtja e kopjeve të dokumenteve është e habitshme, në përkthime ka saktësi maksimale, dhe ajo paraqet një pamje të njëjtë të Perëndisë në mbi 1600 vjet. E gjithë kjo krijon një themel të fortë për të besuar atë që lexojmë në Dhiatën e Re: që Jezusi është Perëndia, Biri, i cili erdhi të na japë jetë.
Ju lutemi na shkruani me email nëse keni pyetje të tjera.
► | Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë |
► | Kam një pyetje... |
Refenca: (1) Isaia 46:10 (2) McDowell, Josh. The New Evidence that Demands a Verdict (Thomas Nelson Publishers, 1999), p. 55. (3) Tacitus, A. 15.44. (4) Komente nga Dr. William Lane Craig, mbajtur para një audience universitare në Dhjetor, 2001: “Nga faqet e historianit hebre Jozef mësojmë se Jezusi u ekzekutua nga autoritetet romake nën Ponc Pilatin me anë të kryqëzimit. Dhe Taciti, historiani romak, përmend Ponc Pilatin si përgjegjës për ekzekutimin e Jezusit me kryqëzim. Sipas Jozefit dhe një shkrimtari sirian, Mara Bar-Serapion, autoritetet hebreje morën pjesë në ngjarjet që çuan në ekzekutimin e Jezusit, dhe ata e justifikuan këtë si një hap të duhur kundër një heretiku. Pra nga burime jashtëbiblike, hebreje dhe romake, ne kemi të dhëna për gjyqin e Jezusit, përfshirjen e autoriteteve hebreje dhe romake, mënyrën e ekzekutimit, dmth kryqëzimin. Dhe këto fakte janë aq të ngulura në histori si një pikë ankorimi saqë asnjë studiues, asnjë historian nuk i mohon. Përkundrazi, ato janë aq të fiksuara, saqë bëhen kriter autenticiteti.” (5) Wilkins, Mikel J. & Moreland, J.P. Jesus Under Fire (Zondervan Publishing House, 1995), p. 40. (6) Ibid. (7) Strobel, Lee. The Case for Christ (Zondervan Publishing House, 1998), p. 83. (8) Ibid., p. 85. (9) Zacharias, Ravi. Can Man Live Without God? (Word Publishing, 1994), p. 162. Tani edhe në shqip, A mund të jetojë njeriu pa Perëndinë? (Shigjeta, 1999). (10) Strobel, p. 132. (11) Arkeologu i njohur hebre, Nelson Glueck, shkroi: “Mund të thuhet në mënyrë kategorike se asnjë zbulim arkeologjik s’ka kundërshtuar kurrë një referencë biblike.” Cituar nga McDowell, Josh. The New Evidence That Demands a Verdict (Thomas Nelson Publishers, 1999), p. 61. (12) Strobel, p. 143-144. (13) Geisler, Norman L. Baker Encyclopedia of Christian Apologetics (Grand Rapids: Baker, 1998). (14) McDowell, Josh. Evidence That Demands a Verdict (1972), p. 19. (15) http://english.sdaglobal.org/story/advent/secret/ebla.htm (16) hequr (17) hequr (18) Bruce, F.F. The Books and the Parchments: How We Got Our English Bible (Fleming H. Revell Co., 1950), p. 113. (19) Veprat e Apostujve 2:22, 3:13, 4:13, 5:30, 5:42, 6:14, etj. (20) Luka 1:1-3 (21) Gjoni 20:30,31