Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë
Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë

E vërteta historike prapa KODIT te DA VINÇIT

Çfarë është histori dhe çfarë është imagjinatë?

WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More PDF

nga Rik Xhejms

Kodi i Da Vinçit, Den Braun ka arritur majën më të lartë të romanit policor/konspirativ. Në botën e komploteve armiqësore tensioni s’ka ku të shkojë më lart – fshehja e alienëve në Rosuell apo identiteti i vrasësit të Kenedit janë çikërrima krahasuar me idenë e një kishe konspirative që ka fshehur identitetin e vërtetë të Jezu Krishtit dhe ka mashtruar miliarda besimtarë. Përzierja brilante e faktit me trillimin siguron besueshmëri, dhe ne biem në kurth të detyruar të ndjekim sugjerimet, kudo që të çojnë ato, cilado të jetë e vërteta.

Faktet historike të ndërthurura në materialin e Kodit të Da Vinçit rrëshqasin pa u kuptuar në trillim. Ndërkohë që konceptet paraqiten me ritëm të shpejtë në ekran, është e vështirë të dish nëse ajo që prezantohet është nxjerrë nga historia apo nga imagjinata e filmbërësit. Për kënaqësinë e të parit të filmit kjo në të vërtetë s’ka ndonjë rëndësi, por nëse duam të arrijmë ndonjë përfundim në lidhje me të vërtetën e fillimit të krishtërimit, ndoshta do të ishte mirë të shqyrtonim disa fakte historike.

Për shembull, a tha vërtet Jezusi se ishte Perëndi? Kjo duket e padiskutueshme, sepse pothuaj çdo gjë që Jezusi bëri dhe tha tregojnë në këtë drejtim. Një shembull i tillë është Llazari, një mik i afërt i Jezusit, i cili vdiq. Kishin kaluar katër ditë nga varrimi, por siç mund të jetë ende zakon në Lindjen e Mesme, i gjithë qyteti ende mbante zi, dhe njerëzit ende po vajtonin.

Jezusi, që kishte qenë në një pjesë tjetër të vendit, më në fund vjen dhe u thotë atyre të largojnë gurin që mbyllte hyrjen e varrit. Shumica e njerëzve nuk ishin dakord me këtë kërkesë, dhe disa madje i kujtuan erën e keqe që do të dilte. Por për shkak të reputacionit të Jezusit, ata vepruan siç iu tha Ai. Jezusi atëherë thirri, “Llazar, dil jashtë!” (Po qe se Jezusi po përpiqej ta fshihte që ishte Perëndi, kjo patjetër nuk ishte lëvizja e duhur.) Llazari doli nga varri për habinë e madhe të turmës, dhe kjo shkaktoi trazim të madh midis udhëheqësve fetarë. Farisenjtë mblodhën një këshill dhe thanë, “Çfarë të bëjmë? Sepse ky njeri po bën shumë shenja. Po ta lëmë të vazhdojë kështu, të gjithë do të besojnë në të…”1

Përsëri, nëse do të doje që të tjerët të mos të të quanin “Perëndi” nuk do të thoshe gjëra si këto….

“Filipi i tha, ‘Zot, na e trego Atin dhe na mjafton.’ Jezusi i tha, ‘Ka kaq kohë që unë jam me ju dhe ti nuk më ke njohur akoma, o Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin; si vallë po thua: “Na e trego Atin”?2

Në fakt, armiqtë e Jezusit i kuptuan qartë deklaratat e Tij:

“Judenjtë iu përgjigjën duke thënë: ‘Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, por për blasfemi, sepse ti duke qenë njeri, e bën veten Perëndi.'”3

Është gjithashtu shumë e qartë se dishepujt dhe të krishterët e hershëm që nga fillimi e kishin si një besim themelor hyjninë e Krishtit. Shikojmë këtë thënie nga apostulli Pal:

“Ai është shëmbëllesa e Perëndisë së padukshëm, i parëlinduri i çdo krijese, sepse në të u krijuan të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato mbi dhe, gjërat që duken dhe ato që nuk duken….të gjitha gjërat janë krijuar me anë të tij dhe për të.”4

Në këtë pasazh apostulli Pal e përshkruan Jezusin si “shembëllimi” i Perëndisë dhe e identifikon atë si Krijuesin. Është e rëndësishme të kuptojmë se letrat e Palit u shkruan vetëm dy-tre dekada pas vdekjes së Krishtit. Dhe, nëse teksti nuk rrjedh lirshëm si prozë, kjo është sepse nuk është prozë. Brenda letrave të Palit citohen kredo, si kjo, që kanë ekzistuar përpara letrës dhe u formuluan vitet e para pas vdekjes së Krishtit. Këto kredo paraqesin atë që komuniteti i krishterë besonte për Krishtin, dhe hyjnia e Tij është qëndrore në to.

Çfarë mund të themi për ungjijtë gnostikë në Kodin e Da Vinçit?

Ungjijtë e tjerë që Tibing përmend u shkruan, në shumicën e rasteve, një shekull ose dy më vonë, kryesisht nga një grup njerëzish të njohur si gnostikët. I ashtuquajturi “Ungjilli i Thomait” u shkrua rreth 140 Pas Kr.; “Ungjilli i Judës” u shkrua rreth 170 Pas Kr. Megjithëse përdorin emra të njerëzve që jetuan në kohën e Jezusit, këta ungjij gnostikë u shkruan shumë kohë pasi këta njerëz kishin vdekur, dhe shumë kohë pas Jezusit.

Kodi i Da Vinçit e bën të duket sikur gnostikët nuk besonin në hyjninë e Jezusit. Këtu kemi trillimin poetik mbi faktin. Po t’i referohemi historisë, gnostikët në të vërtetë besonin në hyjninë e Jezusit, por ishin të pasaktë në pjesën tjetër të teologjisë së tyre në lidhje me Të.

Në qytetet e atëhershme të Lindjes së Mesme, ashtu si në qytetet e sotme, ka patur gjithmonë sekte dhe kulte fetare si ato që paraqesin literaturën e tyre derë më derë, dhe që promovojnë një interpretim “të ri” radikal të Krishtit. Ajo që është interesante të vëmë re është se një formë e hershme, më e butë e Gnosticizmit ekzistonte që në ditët e apostujve, dhe për këtë arsye një pjesë e gjërave që janë shkruar në Dhiatën e Re u adresohej këtyre keqprezantimeve të identitetit të Krishtit. Prandaj apostulli Gjon me guxim e fillon ungjillin e tij me këtë deklaratë që ngre lart edhe hyjninë e Jezusit:

“Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi…

…edhe anën e Tij njerëzore:

Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne.”5

Ishte ana njerëzore e Jezusit ajo me të cilën kishin problem gnostikët, jo hyjnia e Tij. Prandaj kemi ungjillin e Gjonit që qëllimisht hapet me këtë shpallje se “Fjala [Jezusi] ishte Perëndi” dhe se Ai “u bë mish.” Gnostikët besonin se materja/lënda ishte e keqe, dhe prandaj ishte e pakonceptueshme për ta që Jezusi mund të ishte bërë tërësisht njerëzor. Këto shkrime gnostike të cilave Tibing iu referohet si “ungjij të tjerë” në film, në realitetin historik e zbukuronin hyjninë e Jezusit dhe anashkalonin anën e tij njerëzore. Kështu tek Kodi i Da Vinçit përdoret polemika me gnostikët, por e paraqitur kokëposhtë, duke thënë se çështja ishte për hyjninë e Jezusit.

Çfarë mund të themi për Këshillin e Nikesë tek Kodi i Da Vinçit?

Pretendimi që shfaqet tek Kodi i Da Vinçit se hyjnia e Krishtit u debatua në Këshillin e Nikesë është krejt e gabuar (ja një ilustrim tjetër i lirisë poetike). S’ka problem. T’i rikthehemi historisë: debati në Nike ishte nëse Krishti ishte i bashkëpërjetshëm me Atin. Me fjalë të tjera, a ka patur ndonjë kohë kur Jezusi “nuk ishte” me Atin? Kjo mund të duket e parëndësishme, por në atë kohë ishte e rëndësishme të sqarohej. Askush në këshill nuk e besonte se Jezusi ishte thjesht njeri, ose thjesht profet. (Me që ra fjala, Këshilli i Nikesë me shumicë absolute konkludoi se Jezusi ishte në fakt i bashkëpërjetshëm me Atin.)

Përsëri, Jezusi vetë ishte shumë i qartë në pikën e bashkekzistencës me Atin. Jezusi mori të njëjtin emër si ai i Perëndisë në Dhiatën e Vjetër. Kur Moisiu e pyeti Perëndinë çfarë emri të përdorte për Të, Perëndia i tha Moisiut, “‘UNË JAM’-i të dërgoi.” (Dhe kjo ka kuptim sepse Perëndia gjithmonë ka ekzistuar, ekziston tani dhe gjithmonë do të ekzistojë kështu që “UNË JAM” e përmbledh shumë mirë këtë.) Dhe, Jezusi shpalli të njëjtën gjë për veten. Ai tha, “Para se të kishte lindur Abrahami, UNË JAM.”6

Herë pas here del diçka që njerëzit e kanë të vështirë ta klasifikojnë. Është shumë e çuditshme, për shembull, që balena klasifikohet si gjitar dhe jo si peshk. Për mendimin e zakonshëm një qenie detare nuk duhet të jetë gjitar.

Në botën e udhëheqësve fetarë, Jezusi është diçka e tillë, shpesh i përfshirë në një grup me udhëheqësit e tjerë të mëdhenj fetarë, si Moisiu, Muhamedi dhe Buda. Por realisht, Ai nuk bën pjesë atje. Në sipërfaqe mund të duket si ata (një udhëheqës i mrekullueshëm fetar që ka ndihmuar për t’i dhënë formë botës së besimit dhe moralit), por Ai mësoi dhe shpalli për veten gjëra që po të analizohen, e bëjnë Atë diçka të një lloji krejt tjetër. Ai shpalli se ishte Perëndi.

Nëse doni të dini më shumë për çfarë shpalli dhe vërtetoi Jezusi për veten, dhe çfarë ofron, ju lutemi shikoni Përtej besimit të verbër.

 Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë
 Kam një pyetje...

Refenca: (1) Gjoni 11:47,48 (2) Gjoni 14:6-9 (3) Gjoni 10:33 (4) Kolosianët 1:15-16 (5) Gjoni 1:1,14 (6) Gjoni 8:58

TREGOJUA MIQVE:
WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More