Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë
Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë

A mund ta provoni ekzistencën e Perëndisë?

(Pse filozofëve dhe ateistëve u pëlqen kjo pyetje)

WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More PDF

nga Gregory E. Ganssle, Ph.D.

Që kur Emanuel Kant shkroi “Kritika e Arsyes së Pastër”, është bërë zakon për njerëzit mendimtarë të këmbëngulin se është e pamundur ta provosh ekzistencën e Perëndisë. Në fakt, ky pretendim është ngritur në nivelin e dogmës në kulturën intelektuale amerikane. Arsyeja përse e di se kjo konsiderohet dogmë e padiskutueshme është reagimi që marr kur e shtroj këtë gjë për diskutim. Kur dikush thotë: “Ju nuk mund ta provoni ekzistencën e Perëndisë,” – unë dua ta pyes: “Nga e di ti? Sapo më takove! Nga e di ti se ç’jam në gjendje të bëj?”

Çfarë nënkuptojnë shumica e njerëzve kur recitojnë këtë pretendim? Shumica e njerëzve nënkuptojnë se unë nuk mund të kem një argument filozofik për ekzistencën e Perëndisë, e cila do t’i bindë të gjithë njerëzit mendimtarë. Është e pamundur, kështu vazhdon historia, të keni një argument që do të na detyrojë të biem dakord. Nëse argumenti im nuk do të bindë ateistin më të devotshëm, thonë ata, nuk e kam provuar atëherë ekzistencën e Perëndisë. Duke qenë se nuk mund ta bind një ateist të tillë për të besuar, argumentat e mia nuk shihen si prova në sytë e tyre. Nëse nuk shihen si prova, ç’vlerë kanë?

Jam dakord se nuk mund të kem një argument që do t’i bindë të gjithë njerëzit mendimtarë. Por çfarë më thotë kjo mua? A po më thotë diçka për Perëndinë? Jo. Kjo më flet më shumë për natyrën e provave sesa për atë nëse Perëndia ekzistion apo jo. Unë nuk mund të kem një argument që do të bindë gjithësecilin, pa asnjë mundësi dyshimi, se Perëndia ekzsiton. Kjo nuk përbën problem. Puna është se nuk ka asnjë argument për çdo konkluzion interesant filozofik, i cili do të pranohet nga kushdo pa mundësi dyshimi.

Nuk mund të provoj përtej mundësisë të dyshimit — në një mënyrë që do t’i bindë të gjithë filozofët — se Malet Shkëmborë (Rocky Mountains) gjenden vërtet këtu si një objekt i pavarur i mendjes. Nuk mund të provoj se i tërë universi nuk erdhi në ekzistencë para pesë minutash dhe se të gjitha kujtimet tona të dukshme nuk janë iluzione. Unë nuk mund të provoj se njerëzit e tjerë që shihni në qendrën studentore kanë mendje. Ndoshta janë robotë shumë të zgjuar.

Nuk ka asnjë konkluzion interesant filozofik që mund të provohet përtej mundësisë së dyshimit. Kështu që fakti se argumentet për ekzistencën e Perëndisë nuk sjellin siguri matematikore nuk e dobëson në vetvete çështjen rreth ekzistencës së Perëndisë. Thjesht e vendos pyetjen rreth ekzistencës së Perëndisë në të njëjtën kategori me pyetjet e tjera të tilla si ekzistenca e botës së jashtme, të pavarur nga mendja dhe të pyetjes se si e dimë se njerëzit e tjerë kanë mendje.

A do të thotë kjo se argumentet për ekzistencën e Perëndisë janë të padobishme? Sigurisht, nuk mund të kem një argument që do t’i bindë të gjithë njerëzit mendimtarë, por kjo nuk do të thotë se nuk kam arsye të mira për të besuar në Perëndinë. Në fakt, disa nga arsyet për të besuar në Perëndi mund të jenë bindëse për ju. Edhe nëse nuk ju mbushet mendja për të besuar se Perëndia ekziston, argumentat e mia mund të mos jenë të padobishme. Është e arsyeshme të besosh se malet janë të vërteta dhe se kujtesa jonë është përgjithësisht e besueshme dhe se mendje të tjera ekzistojnë. Është e arsyeshme t’i besosh këto gjëra edhe pse ato nuk mund të provohen. Ndoshta ndonjë argument për ekzistencën e Perëndisë do t’ju bindë juve se besimi në Perëndi është i arsyeshëm.

Pra, nga ta dimë se Perëndia ekziston? Në vend që të kërkojmë për konkluzione të dyshueshme, ne peshojmë dëshmitë dhe shqyrtojmë alternativat. Cila alternativë i përshtatet më mirë dëshmive (provave)?

Nëse do të donit të shihnit disa arsye që mbështetin ekzistencën e Perëndisë, shih artikullin A ekziston Perëndia?

 Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë
 Kam një pyetje...
TREGOJUA MIQVE:
WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More