nga Douglas Groothuis, Ph.D.
Njerëzit kanë pyetur gjithmonë veten se çfarë (nëse ka diçka) gjendet përtej varrit. A është vdekja fundi i ekzistencës, një hyrje në përjetësi, apo një pushim midis jetëve tokësore? Disa thonë se shpirti rimishërohet në shumë trupa të ndryshëm, dhe afro 25% e amerikanëve e besojnë këtë. Pse tërheq kaq shumë njerëz rimishërimi?
Rimishërimi u ofron shpresë shumë njerëzve. Nëse nuk e jetojmë mirë këtë jetë, kemi një mundësi tjetër. Megjithatë, edhe ata që besojnë në rimishërimin e pranojnë se shumica e njerëzve nuk i mbajnë mend jetët e tyre të mëparshme. Si mund të mësojmë nga gabimet e kaluara nëse nuk i mbajmë mend? Ne bëjmë gjithmonë të njëjtat gabime. Duke parë rënien morale në historinë njerëzore, a kemi ndonjë arsye të shpresojmë se në një jetë tjetër do të ndreqemi?
Rimishërimi gjithashtu pretendon se siguron drejtësi. Sipas ligjit të karmas (një rregull i papërkulur dhe jopersonal i universit), ne marrim atë që meritojmë në çdo jetë. Veprat tona të mira dhe të këqia prodhojnë rezultate të mira dhe të këqija nga një jetë në tjetrën. Sipas karmas nuk ka vuajtje të padrejtë, sepse askush nuk është i pafajshëm. Gjithkush që vuan e meriton, në bazë të karmas. Foshnja që lind pa këmbë e meritonte, dhe po ashtu edhe vajza që u përdhunua. Ne të gjithë e mbartim me vete karman tonë në çdo jetë. Nuk ka hir, nuk ka falje, nuk ka mëshirë. Jo vetëm që ky nuk është lajm i mirë për ata që kanë një ndërgjegje të trazuar, por karma bie në konflikt edhe me sensin tonë moral që një pjesë e vuajtjes është e pamerituar dhe meriton keqardhje dhe veprime nga ana jonë për ta lehtësuar.
A mundet rimishërimi realisht t’i ofrojë shpresë dhe një sens drejtësie një bote të trazuar? Dhe çfarë ngushëllimi ofron në lidhje me problemin e pazgjidhur të vdekjes? Ligji i karmas është i pamëshirshëm. Mesazhi i Jezus Krishtit është i ndryshëm. Jezusi nuk e mohoi që ka vuajtje të padrejta. Ai u ofroi falje atyre që e shkaktojnë atë dhe ngushëllim atyre që e përjetojnë.
Jezusi tha se askush nuk mund ta mbajë ligjin moral. Zemra njerëzore është e papastër, e dhënë pas veprimeve dhe qëndrimeve të gabuara të cilat janë ofendime ndaj një Perëndie të dashur dhe absolutisht të mirë. Jezusi tha se Ai na ofron falje si shpëtimtari ynë, duke paguar vetë për ofendimet tona ndaj Perëndisë. Jezusi tha se njerëzit do të marrin shpërblim ose dënim të përjetshëm në varësi të faktit nëse e pranojnë apo jo faljen e Tij gjatë të vetmes jetë në tokë. (Mateu 25:31-46; shih edhe Hebrenjve 9:27). Jezusi shpjegoi se Ai erdhi në botë “për të kërkuar dhe shpëtuar atë që kishte humbur” (Luka 19:10). Ai tha se “nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve” (Marku 10:45).
Jezusi e tregoi dashurinë dhe faljen e tij edhe kur po ekzekutohej në kryq. Një hajdut në një kryq afër Jezusit e rrëfeu mëkatin e tij dhe i kërkoi Jezusit ta kujtonte kur të vinte si mbret. Jezusi iu përgjigj:”Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë” (Luka 23:43). Vetëm besimi tek Jezusi u desh për të shkuar në parajsë, dhe jo jetë pas jete përpjekjesh për të shlyer karman e keqe dhe për të mbledhur karma të mirë. “Sepse Perëndia aq e deshi botën, saqë e dha Birin e Tij të vetëmlindurin, që kushdo që beson në Të të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme” (Gjoni 3:16). Ky me të vërtetë është lajm i mirë–për këtë jetë dhe për më tej.
Për të mësuar më shumë për jetën dhe mësimet e Jezusit, lexoni seksionin “Mateu” në Dhiatën e Re, ose shikoni artikullin Përtej besimit të verbër. Për më shumë diskutim në lidhje me rimishërimin shikoni P & P Forum.
► | Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë |
► | Kam një pyetje... |
Douglas Groothuis, Ph.D. jep mësime filozofie në Seminarin e Denverit dhe është autor i Jezusi në një epokë polemikash.